Për një copë karrige
Për një copë karrige, plot premtime,
“punë e zhvillim” në shumë drejtime.
Njerëz të shpëlarë, me fytyra zgjyrë,
njerëz pa lyrë, emocione pa ngjyrë!
T’ëmën ore sa kemi përbiruar,
hajdutët e grykësit të praruar!
Të këqija dhe dëme me tepri,
tmerr, babëzi, lemeri, neveri!
Po ta lyp nevoja, le të prishet bota,
një copë karrige e dua me rrota.
I krisuri brirë s’ka, litari po i hollohet,
do gremiset, për gryke i shtrëngohet!
Ti taksiratmadh i lodhur e zhgënjyer,
i zemëruar, qejfmbetur e zemërthyer,
i heshtur, fjalëkursyer, ke qepur gojën,
për bela, zullumit nuk ia di bojën.
Injorancës nuk i duken kufijtë,
është kala e fortë, është shumicë.
Të mençurve nuk u shiten urtësitë,
kanë zë të shurdhët, janë pakicë.
A është e drejtë të heshtim e të presim,
të gajasim së qari, ngadalë të vdesim?!
Mos duhet të guxojmë e ulërasim,
nga kolibja e qenit të dalim e të flasim?!
© Xhemi Hajredini
Strugë, korrik 2019
Leave a Reply