Sektori i ndërtimtarisë po përballet me mungesë të punëtorëve

Sektori i ndërtimit në Maqedoninë e Veriut përballet me mungesë serioze të fuqisë punëtore. Pronarët e kompanive të ndërtimit thonë se ka më pak punëtorë, sepse ata me të cilët kanë punuar me vite të tëra po largohen për të punuar në Kroaci ose në Itali.

“Vitin e kaluar kemi pasur 15-20 persona që kanë punuar me vite dhe janë larguar nga vendi. Tani kemi mungesë”, tha Sherif Kadrioski- pronar i kompanisë ndërtimore.

“Kishim punëtorë të mjaftueshëm. Më shumë se 20 vite që operojmë si kompani dhe kemi 20 vite që ndërtojmë. Rajoni ynë deri më tani nuk kishte problem me fuqinë punëtore. Tani situata është krejtësisht ndryshe. Mungesa është e madhe. Kemi grup që është me ne gjatë kohë, por ngadalë po shpërbëhet. Të gjithë kërkojnë të shkojnë në Perëndim, në Itali, Gjermani, Zvicër dhe ka nga ata që duhet të qëndrojnë për shkak të prindërve. Ata janë mbi 40-50 vjeç dhe janë ata që e mbajnë punën gjallë. Unë funksionoj 40 vjet, asnjëherë nuk ka pasur situatë të tillë”, u shpreh Llaze Poposki – menaxher i ndërmarrjes ndërtimore.

Ata kërkojnë nga Qeveria e re thjeshtësim të procedurave për sjelljen e punëtorëve të huaj, por edhe përmirësim të kushteve për marrjen e kredive dhe lejeve të ndërtimit.

“Këto janë kërkesa të ndërtuesve vazhdimisht prej vitesh. Tashmë nuk është diçka e re. Por sido që të jetë, të gjithë po përpiqen të thjeshtësojnë punën administrative që lejet të jepen më shpejt”, theksoi Sherif Kadrioski- pronar i kompanisë ndërtimore.

Për ata që vijnë, vendi është vetëm “trampolinë” për destinacione të tjera me paga më të majme. Ata largohen shumë shpesh pa paralajmërim, duke lënë pas të gjitha dokumentet, thonë shefat./Alsat.mk