Për herë të parë në historinë moderne, xhamia Al-Aksa në Qytetin e Vjetër në Jeruzalemin Lindor të okupuar u mbyll për besimtarët muslimanë ditën e parë të Ramazanit, muajin e shenjtë të agjërimit, gjatë pandemisë koronavirus.
Vendi i shenjtë, i cili në kohë normale tërheq dhjetëra mijëra muslimanë në namazin me xhemat (kolektiv) dhe lutjet e natës gjatë Ramazanit, i njohur si namazi i Teravive, për herë të parë gjatë këtij Ramazani ishte pa qoftë dhe një besimtar të vetëm. Vetëm disa drejtues e mirëmbajtës me maska ishin brenda xhamisë, disa metra larg njëri-tjetrit.
Dy javë më parë, Këshilli Islamik Waqf njoftoi një vendim të paparë për të ndaluar përkohësisht besimtarët muslimanë të hyjnë në xhaminë e Al-Aksas, vendi i tretë më i shenjtë i Islamit.
Vendimi i marrë nga këshilli i Waqf-it i drejtuar nga Jordani, ishte “i dhimbshëm”, sipas një deklarate të lëshuar nga këshilli, i cili është përgjegjës për mbikëqyrjen e vendeve të shenjta në Jeruzalem.
“Muslimanët duhet të luten në shtëpitë e tyre gjatë muajit të Ramazanit për të mbrojtur sigurinë e tyre,” tha këshilli.
Izraeli, duke pushtuar Jeruzalemin Lindor, i cili strehon vendin e shenjtë, ka afro 15,000 raste të koronavirusit, me 193 hunbje jete. Në territoret e okupuara palestineze janë konfirmuar rreth 480 raste të infeksionit, me katër humbje jete, njoftoi agjensia palestineze e lajmeve WAFA.