BDI e cila për 20 vite ishte në pushtet, ka riaktualizuar çështjen e vetingut apo mekanizmit të verifikimit të funksionarëve. Ftesa që sot partia e Ali Ahmetit i bën qeverisë, në fakt është një narrativ i kamotshëm i BDI-së, i cili dështoi të realizohet derisa ishte në pushtet, ndërkaq e rikthen në tavolinë, në rrethana kur akuzohet për krim dhe korrupsion të përmasave epike.
“Ftojmë të gjitha partitë politike, veçanërisht ato që janë në pushtet, të kërkojnë menjëherë nga komunitetin ndërkombëtar monitorues për një veting tërësor dhe gjithëpërfshirës të të gjithë zyrtarëve publikë në 30 vitet e fundit”, thonë nga BDI.
Propozimin e këtillë, VMRO-DPMNE e quan tentim për amnisti politike për krimin e kryer nga BDI dhe partnerët e tyre të LSDM-së.
“Ali Ahmeti sot fton në veting ndërkombëtar pasi që mendon se ashtu do ta mbrojë veten dhe të tjerët të cilët padyshim kanë hyrë në biznese milionëshe me zero denarë investim. Ku ishin LSDM dhe BDI shtatë vite të kërkojnë veting ndërkombëtar ose atëherë tenderët milionëshe në TEC, MEPSO dhe ESM ishin prioritet. Ku ishin LSDM dhe BDI të flasin për veting kur shuma milionëshe janë shpenzuar në furnizimin e veturave me qira për dy ditë. Ku ishin LSDM dhe BDI kur kompanitë e afërta të tyre e rritnin pronën me centrale fotovoltaike. Pse Ahmeti dhe Filipçe nuk kërkuan veting për kompaninë për mbikëqyrje të rrugëve dhe spitalet modulare”, u shpreh Marija Miteva, VMRO-DPMNE.
BDI ndër vite vlerëson se qytetarëve të dëshpëruar nga mungesa e drejtësisë dhe niveli i lartë i korrupsionit në shtetin ku ata kanë qeverisur plot 22 vite, duhet t’u rikthehet besimi te shteti dhe politikanët nëpërmjet një mekanizmi të quajtur veting, i cili supozohet se do t’i ndajë të ndershmit nga të korruptuarit.
Por, ky propozim për veting me monitorues ndërkombëtar, nuk mbështet tanimë disa vite prej Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilët, autoriteteve të vendit ua kanë bërë me dije se ekzistojnë mekanizma tjerë shtetërorë për të luftuar korrupsionin dhe për ta rikthyer besimin e qytetarëve në institucionet shtetërore, para se gjithashtu atyre gjyqësore.
Por edhe përkundër kundërshtimit të BE-së dhe SHBA-së, BDI vazhdoi ta promovojë këtë lloj të vetingut, të cilin, madje e vendosi në 5 prioritetet në programin zgjedhor të vitit 2020, kur dhe me të njëjtin i fitoi zgjedhjet dhe u bë pjesë e qeverisë.
“Bashkimit Demokratik për Integrim do të imponon Vetingun si politikë që nënkupton kontrollin e dyfishtë të gjithsecilit që merr rolin e shërbyesit publik, çdo politikani, prokurori dhe gjykatësi në vend sepse integriteti i individit udhëheqës dhe i institucionit që udhëheq janë baza e një shoqërie të shëndoshë”, thuhet në Programin e BDI-së 2020-2024.
Për të zbatuar këtë premtim, BDI derisa ishte në pushtet do të duhej të angazhohej për t’u miratuar ligj për veting dhe të formohet agjenci për zbatimin e vetingut. Por, edhe pse pati kohë një mandat të plotë katërvjeçar, partia e Ahmetit, dështoi të miratojë ligjin, e aq më pak të formojë agjenci.
Se BDI nuk është angazhuar për veting, tregon edhe ministri i Drejtësisë Krenar Lloga, i cili pasi mori mandatin në vitin 2023 tha se në Ministrinë e Drejtësisë, nuk ekziston asnjë dokument për vetingun.