Kryebashkiaku i Osaka në Japoni është përballur së fundmi me kritika për komentet ku tha se gratë shpenzojnë më shumë kohë se burrat për të bërë pazarin, prandaj duhet të jenë këta të fundit që të dalin gjatë orëve të izolimit.
Ai po përpiqej të nxiste distancimin social për uljen e përhapjes së koronavirusit, teksa dje numri i të infektuarve arriti në 1,500 në Osaka, prefektura e dytë më e goditur në Japoni pas Tokios.
Kryebashkiaku Ichiro Matsui po përpiqej të nxiste zbatimin e masave për reduktimin e virusit, por komentet për gjinitë e veçanta shkaktuan debat.
“Kur shkon një grua në Pazar, kërkon më shumë kohë”, tha ai kur u pyet nga një gazetar për mundësinë e reduktimit të njerëzve në supermarkete. “Po të isha unë .. nëse më thonë, unë blej këtë apo atë dhe shkoj direkt në shtëpi. Burrat janë më mirë për të bërë pazarin dhe për çështjen e evitimit të kontakteve”, tha Matsui, duke shtuar se nuk është mirë që çiftet e martuara të dalin bashkë.
Komentet shkaktuan kritika në rrjetet sociale, ku ai akuzohej për seksizëm dhe për ndërhyrje në punë që nuk ia ka idenë.
“Kur dëgjoj komente si këto… ndjej nevojën që në politikë duhet të ketë njerëz me prejardhje të ndryshme”, tha një komentues.
Një tjetër thoshte se Matsui e kishte gabim pasi gratë harxhojnë më pak kohë se burrat kur dalin për ‘shoppping’.
Matsui sugjeroi gjithashtu se njerëzit duhet të reduktojnë numrin e daljeve për Pazar, duke propozuar që njerëzit e lindur në muajt me numër tek të dalin në datat teke, kur të lindurit në muaj çift të dalin në data çifte.