Javën e kaluar në vendkalimin kufitar “Qafë Thanë” kanë kaluar 70 mijë udhëtarë

Në vendkalimin kufitarë “Qafë Thanë” në kufirin Maqedoni e Veriut-Shqipëri, afër Strugës, nga 30 korriku deri më 4 gusht janë regjistruar mbi 70 mijë udhëtarë, që është 20 për qind më shumë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Për shkak të sezonit turistik veror dhe ardhjes së mërgimtarëve në vendlindjet e tyre, në të dy vendet numri i tyre është vazhdimisht në rritje.

Sipas informacioneve nga autoritetet në vendkalim, ata po punojnë me kapacitet të plotë dhe shpesh me procedurë të përshpejtuar në mënyrë që të mos krijohen kolonë dhe pritje, raportojnë mediat shqiptare.

Ata shtojnë se fluks i shtuar regjistrohet në orët e mëngjesit dhe të pasdites së ditës.

Frekuenca më e lartë u regjistrua të dielën e 3 gushtit, ku 13.828 pasagjerë kaluan kufirin, 8.217 prej tyre hynë në territorin shqiptar, ndërsa 5.611 dolën.