Ribalanci i buxhetit, pranohen vetëm dy amandamente

Komisioni për Financim dhe buxhet në ditën e fundit të debatit për amendamentet për ribalanc të Buxhetit pranoi dy amendamente të parashtruara në moment të fundit nga deputetët e VMRO-DPMNE-së.

Me njërin amandament kërkohen 318 milionë denarë për pagesën e administratorëve që u përfshinë në zbatimin e zgjedhjeve të këtij viti dhe me të dytin u kërkuan 32,169 milionë denarë për reklamat politike me pagesë.

Gjatë seancës u refuzuan dy amendamentet e Frontit Evropian, me të cilat kërkoheshin mjete finaciare për ndërtimin e sallës sportive në shkollën fillore në fshatin Bogovinë dhe për sallë sportive në fshatin Rashçe të Komunës së Sarajit.

“Ky amendament i parashtruar nga Deputetët e Frontit Evriopian propozohet me qëllim që të sigurohen mjete në vlerë prej 40,625 milion denarë për ndërtimin e sallës sportive në f.Rashçe në kuadër të shkollës fillore “Drita” në Komunën e Sarajit.” – tha Deputetja e BDI-së, Arbana Pasholli.

“Habitem me dyftyrsinë e Blerim Bexhetit, pasi që në vitin 2014 kur u bë djegia e sallës ai ka qenë Kryetar i Komunës së Sarajit. Gjithashtu nga viti 2017 e deri më sot z.Blerim Bexheti ka qenë kryetar i po kësaj komune dhe asgjë konkrete nuk ka ndëmarrë për zgjidhjen e këtij problemi.” – deklaroi Deputetja e Koalicionit VLEN, Feride Haxhiu.

Zëvendësministri i Financave, Nikolçe Jankulovski, nuk i pranoi amandamentet me arsyetimin se sallat sportive janë ndërtuar sipas programit vjetor të hartuar nga MASH.

“Më vjen keq që tre gjimnazet e kërkuara nga komisioni i sotëm nuk janë përfshirë, por nga viti i ardhshëm do të bëjmë përpjekje që të sigurojmë fonde.” – deklaroi Zv.Ministri i Financave, Nikolçe Jankulovski.

Për ribalans të buxhetit janë dorëzuar 58 amendamente, disa prej tyre janë tërhequr nga propozuesit ndërsa të tjerat nuk morrën pëlqimin e shumicës së anëtarëve të Komisionit.