Nismë globale për të përshpejtuar gjetjen e vaksinës kundër COVID-19

Kombet e Bashkuara i bashkuan forcat edhe me udhëheqës botërorë dhe me sektorin privat në një nismë për përshpejtimin e gjetjes së vaksinës për koronavirus dhe për sigurimin e qasjes së barabartë për të gjithë.

“Ky është një bashkëpunim i rëndësishëm për të përshpejtuar zhvillimin, prodhimin dhe shpërndarjen e barabartë të vaksinave dhe terapive për COVID-19 [sëmundjen që e shkakton koronavirusi]”, tha shefi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus.

“Angazhimi ynë i përbashkët është që t’iu sigurojmë të gjithë njerëzve qasje në të gjitha mjetet për të mposhtur COVID-19”, tha ai.

“Të bashkuar, ne mund të luftojmë virusin”, tha Tedros.

Mbledhja, përmes video-konferencës, është bashkudhëhequr nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe Melinda Gates nga Fondacioni Bill dhe Melinda Gates.

Aty morën pjesë edhe shefi i OKB-së, Antonio Guterres, dhe liderë botërorë, si kancelarja gjermane, Angela Merkel, dhe presidenti i Afrikës së Jugut, Cyril Ramaphosa.

Në të gjithë botën, mbi 2.7 milionë njerëz janë infektuar me koronavirus, ndërsa mbi 190,000 kanë vdekur.