Një kandidat aktual dhe një ish kandidat në Akademinë për gjykatës dhe prokurorë, si dhe një i punësuar në institucion, janë në thjerrëzën e Prokurorisë për ndjekje të krimit të organizuar dhe korrupsionit. Kjo ishte arsyeja që mbrëmë në hapësirat e Akademisë hyri policia.
Nga Prokuroria kumtuan se po hetohen dyshimet për vepër penale që janë zbuluar në celularin e gjykatësit suprem kundër të cilit tashmë ka hetim aktiv. Nuk e cekën me emër, por bëhet fjalë për celularin e gjykatësit suprem Naqe Georgiev, kundër të cilit po udhëhiqet hetim për marrjen e ryshfetit.
Prokuroria e udhëhequr nga Islam Abazi nuk informoi se për cilët dy kandidat për gjykatës dhe prokurorë ekzistojnë dyshime për vepra penale. Përndryshe gjykatësi suprem Nake Georgiev u arrestua më 20 maj të këtij vitit, për shkak se, siç thuhet, ka pranuar ryshfet prej dhjetë mijë eurove ndërsa në këmbim është dashur të sjellë vendim gjyqësor me rrethana të lehtësuar për veprën e ish kryetarit të Novo Sellës, Boro Stojçev, i njohur si Boro Malboro, i cili u arrestua për kontrabandë të marihuanës. Për të njëjtin rast në pyetje u thirr edhe ish avokati i popullit Ixhet Memeti, i cili është anëtar i Këshillit të Prokurorëve dhe kinse ka bashkëpunuar me gjykatësin Georgiev. Familjarë të tyre të afërt lidhen me Akademinë për gjykatës dhe prokurorë. Paraprakisht drejtoresha e Akademisë, Natasha Gaber-Damjanovska, më datë 12 korrik, dorëzoi dorëheqje të parevokueshme nga funksioni. Arsyeja ishte pamundësia për të zbatuar teste për pranimin e kandidatëve në gjeneratën e nëntë.