Në një njoftim të MPJD-së, thuhet se Drejtoria e Bashkëpunimit Ndërkombëtar Policor – ILECU e Policisë së Kosovës se autoritetet serbe, më datë 22/07/2024, kanë dërguar shenjat e gishtërinjve të një personi dhe të njëjtat shenja së bashku me shenjat e gishtërinjve të qytetarit të Kosovës, Faton Hajrizi, janë përcjellë në Agjencinë e Kosovës për Forenzikë.
Pas krahasimit nga AKF, ILECU ka pranuar përgjigje se këto gjurmë i përkasin qytetarit të raportuar si i vrarë, Faton Hajrizi.
“Duke lutur opinionin që të gjitha këto lajme nga Serbia të merren me rezervë deri në konfirmimin e plotë të tyre, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës do t’ju mbajë të informuar sapo të ketë informacione të reja në lidhje me këtë rast”, thuhet në fund.
Vrasje, grabitje e shumë arratisje – Kush ishte Faton Hajrizi?
I arrestuar për të parën herë në vitin 2000 për vrasjen e një ushtari rus, Faton Hajrizi nga Komuna e Skenderajt, do të shndërrohej në një person me histori të gjatë kriminale dhe famë për shumë arratisje nga burgjet e Kosovës.
Për të fundit herë ai u arratis nga një burg i tipit të hapur në Kosovë, më 6 korrik të vitit 2024. Pak ditë më vonë u bë i dyshuar për vrasjen e një polici në Serbi dhe u vra deri sa ishte në arrati nga autoritetet serbe më 19 korrik.
Në kohën e arratisjes së fundit nga Kosova, Faton Hajrizi përshkruhej si një i burgosur i disiplinuar, i cili madje kishte fituar të drejtën për të shkuar në shtëpi në fundjavë.
Nga vrasjet deri te vjedhja e telefonave – Për çfarë u akuzua Faton Hajrizi?
“U rrit në rrethana të mira familjare dhe shkoi mirë deri në kohën e luftës”.
Kjo ishte një ndër fjalitë përshkruese për historinë jetësore të Faton Hajrizit, nga fshati Klinë e Ulët në Skenderaj, në një dokument gjyqësor të vitit 2001.
Ky dokument është më i hershmi në historinë penale të Hajrizit që nisi në fillim të vitit 2000, pak muaj pasi kishte përfunduar lufta mes forcave serbe dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës më 1999.
Sipas dokumenteve që ka siguruar Radio Evropa e Lirë nga Gjykatat e Kosovës, ai ishte dënuar të paktën tri herë nga dy gjykata të ndryshme për vepra që lidhen me vrasje, tentim-vrasje, vjedhje e plaçkitje.
Faton Hajrizi njihet më së shumti për vrasjen e një ushtari rus të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, më 29 shkurt të vitit 2000. Atë kohë ai ishte 15-vjeçar.
Siç përshkruhet në një vendim të Gjykatës së Qarkut në Mitrovicë, vrasja kishte ndodhur në një nga sheshet e Skenderajt, pasi Hajrizi fillimisht ia kishte marrë armën ushtarit dhe më pas e kishte plagosur.
Ushtari me inicialet I.K më pas vdiq më 2 mars të atij viti nga plagët e marra.
Hajrizi ishte paraburgosur në qendra të ndryshme paraburgimi që nga fillimi i vitit 2000, ndërsa me një aktvendim të marsit të vitit 2001, atij i ishte shqiptuar një “masë edukuese” prej një deri në pesë vjet, që do të vendosej me saktësi më vonë.
Me këtë masë, ai do të dërgohej me një “Qendër Edukimi” dhe “do të ishte nën mbikëqyrje të një ekipi profesional”.
Nuk dihet se ku saktësisht ishte dërguar Hajrizi pas këtij vendimi.
Por, në disa intervista që ai i kishte dhënë muajt e fundit për mediat e Kosovës, ai pretendon se ishte dërguar në vazhdimësi në Qendra Korrektuese së bashku me të rritur dhe jo me të mitur, kategori së cilës i takonte në atë kohë.
Përveç për vrasjen e ushtarit, në aktvendimin e vitit 2001, Hajrizi u dënua edhe për një rast të tentim-vrasjes, tri raste të vjedhjeve kryesisht të pjesëve të veturave, dhe dy raste të keqpërdorimit të veturave (shfrytëzim pa leje të tyre).
Të gjitha këto vepra, sipas gjykatës, u kryen kryesisht nga fillimi i vitit 2000 deri në fillimin e vitit 2001, në Skenderaj, Drenas, Prishtinë dhe Mitrovicë e Jugut.
Vendimi i dytë gjyqësor për Faton Hajrizin u mor sërish nga Gjykata e atëhershme e Qarkut në Mitrovicë, më 24 janar të vitit 2008.
Kësaj here ai u dënua për dy vepra të grabitjes së armatosur, që sipas gjykatës, i bëri në bashkëpunim me dikë tjetër me iniciale B.B, në vitin 2006, në Skenderaj.
Në këto grabitje, ata morën para, telefona, cigare e mbushje telefoni.
Hajrizi u dënua, po ashtu, për armëmbajtje pa leje.
Atij iu shqiptua dënimi me gjashtë vjet burgim dhe iu konfiskuan armë.
Në kohën e dënimit ai kishte qenë duke qëndruar në paraburgim nga maji i vitit 2006.