Haxhiu: Pushteti në Serbi ndihmoi në disa arratisje nga burgjet e Kosovës

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka akuzuar Serbinë se ka gisht në disa prej arratisjeve nga burgjet e Kosovës. Ajo i cilësoi kontradiktore informacionet e Beogradit zyrtar për vrasjen e njërit prej të arratisurve, Faton Hajrizi. Në Ministrinë e Jashtme nuk treguan nëse do të kërkohet trupi i tij, ndërsa një avokat tregoi që nuk ka bazë ligjore që trupi i Hajrizit të mbahet në Serbi

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë të shtunën se arratisjet e fundit nga burgjet e Kosovës, përfshirë edhe ajo e Faton Hajrizit, janë lehtësuar dhe organizuar nga Serbia.

Një ditë pasi Hajrizi u vra në Serbi, gjatë aksionit për ta kapur pasi dyshohet se vrau të enjten një polic serb, Haxhiu tha se kjo duhet të konfirmohet, pasi, sipas saj, informacionet që u dhanë nga autoritetet serbe ishin kundërthënëse.

“Informacionet e organeve tona sugjerojnë që së paku në disa raste, këto arratisje janë cytur, organizuar, bashkëorganizuar e lehtësuar nga grupe kriminale të lidhura me struktura të pushtetit në territorin e Serbisë. Ky organizim konsiston në dhënien e garancisë që për personat e tillë territori i Serbisë, grupet kriminale atje, e nivele të caktuara të pushtetit, u ofrojnë mburojë nga ndjekja penale e Republikës se Kosovës”, ka thënë ministrja Haxhiu.

Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq, paraprakisht e akuzoi Kosovën se organizoi aktin e vrasjes së policit serb dhe Hajrizit iu referua si “terrorist shqiptar”. Sipas tij, Hajrizi ishte pjesë e strukturave të Kosovës.

Ndërkaq, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka thënë një ditë më parë se ka shumë gjëra të çuditshme në të gjithë historinë e Hajrizit, dhe se ai ishte i ndikuar nga shërbime të ndryshme.
“Hajrizi ishte nën ndikimin e agjencive të ndryshme. Shumë gjëra janë në pikëpyetje, por organet kompetente do ta bëjnë pjesën e tyre”, ka thënë Vuçiq.

Por, ministrja Haxhiu i ka reaguar kësaj retorike duke thënë se është paralajmërim për ngjarje të ardhshme të përgatitura në Beograd që kanë perspektivë të qartë shoviniste dhe etno-politike.
“Përdorimi i aktit të vrasjes kriminale të policit nga ministri i brendshëm në Serbi, si shtysë e bazë legjitimimi për të krijuar nevojën e një kauze kundërsulmi ndaj shqiptarëve dhe institucioneve të tyre, apo për të krijuar një rrethanë të kinse barazimit me ngjarje të pakrahasueshme në asnjë dimension, është tërësisht i papranueshëm dhe i qëllimshëm”, ka thënë ministrja Haxhiu.

Në Ministrinë e Punë të Jashtme nuk kanë treguar se si do të veprojnë pas raportimeve për vrasjen e Hajrizit dhe nëse i kanë kërkuar Serbisë, kthimin e trupit të tij në Kosovë.

E, avokati Florim Shefqeti, thotë se nuk ka bazë ligjore që trupi i Hajrizit të mbahet në Serbi.

“E vetmja rrugë ligjore për sjelljen e trupit të tij është që Ministria e Drejtësisë të paraqesë kërkesë tek UNMIK-u, respektivisht tek zyra ndërlidhëse dhe që kjo zyrë pastaj të paraqesë kërkesë tek autoritetet serbe për sjelljen e trupit të tij”, ka thënë Shefqeti.

Faton Hajrizi iku nga burgu i Smrekonicës më 6 korrik për tu bërë e nënta herë që arratiset nga burgjet e Kosovës.

Autoritetet në Serbi thanë se e vranë atë, ditën e dytë pasi ai e qëlloi për vdekje një polic dhe një tjetër e plagosi, derisa po përpiqej ta kalonte kufirit për në Bosnjë-Hercegovinë.