KURESHTARE
Tek po rrija sot,
ulur në një hije,
më erdhi nga larg
zëri i një fëmije.
Ai zë më zgjoi
një kujtim prekës
dhe u mallëngjeva
në valë të drekës.
Çunat përmbi urë,
ashtu si çdo vit.
Dielli djeg si furrë,
ngjitur në zenit.
Larg te Qaf’ e thanës
një shtëllungë reje;
mbi Dri një pulëbardhë
fluturon drejt meje.
Në bregun përballë
hapur dy dritare;
një shtëpi e vjetër
duket kureshtare.
Ku vajta, ku humba,
ndoshta do ta dijë;
se më njeh nga koha
kur isha fëmijë.
Un’ një ditë korriku
u trondita shumë,
për pak u fundosa
i mbytur në lumë.
Më shpëtoi një grua,
ja nga kjo dritare👉
Prandaj un’ i dua
gratë kureshtare😊
(idemisai)
19 korrik 2024.