Brenda një jave janë regjistruar 48 raste të reja me kollë të keqe në RMV

Nga data 5 deri më 11 korrik janë regjistruar 48 raste të reja me kollë të keqe, që është një rritje prej 54,8 për qind krahasuar me një javë më herët. Nga rastet e reja, tetë janë shtruar në spital.

Deri më 11 korrik, në vend janë regjistruar gjithsej 905 raste me kollë të keqe, thuhet në raportin e fundit të publikuar sot nga Instituti i Shëndetit Publik.

Sa i përket shpërndarjes gjeografike, shumica e rasteve të reja janë raportuar në Shkup – 30, tetë raste në Kumanovë, tre në Tetovë, dy raste në Kratovë, Gostivar dhe Manastir dhe një rast në Prilep.

Mosha e pacientëve varion nga një muaj deri në 70 vjeç, ndërsa numri më i madh i rasteve janë nga grupmosha deri në katër vjeç.

“Sa i përket statusit të vaksinimit të të sëmurëve, 33 persona janë të pa vaksinuar ose me status të panjohur vaksinimi, nëntë janë të vaksinuar plotësisht dhe gjashtë janë të vaksinuar sipas moshës”, thonë nga ISHP.