Qeveria mbetet e mbyllur hermetikisht për rishikimin e buxhetit, që pritet nesër të shqyrtohet në seancë të ekzekutivit. Detaje nuk morëm as nga Ministria e Financave, e cila po harton këtë rishikim të arkës së shtetit. Ajo që mund të dijë opinioni publik nga rebalancët buxhetore të viteve të kaluara se pritet të ketë shkurtime në investimet kapitale. Profesori ekonomik Abil Baush tha se kjo praktikë e keqe është zbatuar në dy dekadat e fundit, ku fondet janë ri destinuar për rritje të pagave publike dhe pensioneve.
“Në çdo rebalanc të buxhetit që bëhet çdo herë pas muajit të 6-të, shkurtohen investimet kapitale. Pjesa më e rëndësishme me zhvillimit ekonomik të një vendi, një gjë të cilën asnjëherë nuk mundëm ta kalojmë mbi 40%, realizim të investimeve kapitale. Ato e cekën se do të ri destinohen në mjete sociale, do të rriten pensionet, diku do të rriten edhe pagat në disa sektor administrativ etj. Kjo është një mënyrë jo e natyrshme që mundohen të bëjnë një përshtatje të ekonomisë, të cilën ne si vend po e bëjmë tani”, deklaroi Abil Baush, Profesor ekonomik.
Por, Ministria Financave ka edhe një punë tjetër të rëndësishme, e cila po përgatit kornizën e huamarrjes prej 500 milion eurove nga Hungaria. Sipas të dhënave që ka shpalosur deri tani kryeministri Mickoski, kjo ujdi për kredinë prej gjysmë miliardi euro do të nënkuptojë stabilitet financiar të ekonomisë: 250 milionë euro do të përdoren si mbështetje për ekonominë e vendit ndërsa 250 milionë euro të tjera do të ndahen për projekte komunale të investimeve infrastrukturore. Por, ekspertët ekonomik thonë se boshllëqet që do lërë rishikimi do të përpiqen t’i mbushin me huamarrjen e shtetit hungarez, të cilëve për 12 vite taksapaguesit tanë do tu kthejnë borxhin me gjithë kamatë interesi prej 3,25%. Ata sugjerojnë që të decentralizohet buxheti nëpër komuna që të jenë të pavarura. /Alsat.mk