Para atentatit të 13 korrikut ndaj ish-presidentit Donald Trump, ka pasur disa ngjarje të dhunës politike që kanë pasur për shënjestër presidentët amerikanë, ish-presidentët dhe kandidatët presidencialë.
Në këtë tekst mund të mësoni për vrasjet dhe atentatet që kanë ndodhur në shtetin e themeluar më 1776:
Abraham Lincoln, presidenti i gjashtëmbëdhjetë i SHBA-së
Lincoln ishte presidenti i parë amerikan që u vra. Ai u qëllua nga John Wilkes Booth më 14 prill 1865, teksa ai dhe gruaja e tij, Mary Todd Lincoln po merrnin pjesë në një performancë speciale të komedisë “Our American Cousin” në Teatrin Ford në Uashington.
Lincoln u dërgua në një shtëpi përballë teatrit, ku mori trajtim mjekësor pasi u qëllua pas kokës. Ai vdiq mëngjesin e ditës tjetër. Mbështetja e tij për të drejtat e personave me ngjyrë citohet të ketë qenë motivi për vrasjen e tij.
Një pikurë që shfaq presidentin Abraham Lincoln duke mbajtur një fjalim.
Dy vjet para vrasjes, gjatë Luftës Civile, që u zhvillua për çështjen e skllavërisë, Lincoln lëshoi Deklaratën e Emancipimit, që u jepte liri skllevërve brenda Konfederatës.
Lincoln u pasua në postin e presidentit nga nënpresidenti Andrew Johnson.
Booth u qëllua për vdekje më 26 prill 1865, pasi u gjet duke u fshehur në një hambar afër Bolling Grin, Virxhinia.
James Garfield, presidenti i njëzet i SHBA-së
Garfield ishte presidenti i dytë që u vra në SHBA. Ai u vra gjashtë muaj pasi mori detyrën. Garfield ishte duke ecur në një stacion treni në Uashington më 2 korrik të vitit 1998 kur u qëllua nga Charles Guiteau.
M’ 2 korrik 1881, presidenti James A. Garfied po ecte në stacionin e trenit në Uashington, kur u qëllua. Identiteti artistit, që ka bërë pikturën që shfaq këtë moment, nuk dihet.
Alexander Graham Bell, shpikësi i telefonit, tentoi – por pa sukses – që të gjente plumbin në gjoksin e Garfield, duke përdorur një pajisje që ai e kishte dizajnuar specifikisht për presidentin. Presidenti i plagosur rëndë qëndroi i shtrirë për disa javë në Shtëpinë e Bardhë, por vdiq në shtator pasi u dërgua në Nju Xhersi.
Garfield u pasua nga nënpresidenti, Chester Arthur.
Guiteau u gjet fajtor për vrasjen e presidentit dhe u ekzekutua në qershorin e vitit 1882.
William McKinley, presidenti i njëzet e pestë i SHBA-së
McKinley u qëllua kur po mbante një fjalim në Bufallo të Nju Jorkut më 6 shtator 1901. Ai po përshëndetej me njerëzit kur një person e qëlloi dy herë në gjoks nga një distancë e afërt. Mjekët prisnin se ai do t’i mbijetonte sulmit, por në gjoks iu shfaq gangrena.
McKinley vdiq më 14 shtator të vitit 1901, gjashtë muaj pasi nisi mandatin e dytë si president.