Bexhet Asani: NË KUJTIM TË ATDHETARIT MEDI COMA NGA STRUGA(15 gusht 1927 – 8 korrik 2024)

NË KUJTIM TË ATDHETARIT MEDI COMA NGA STRUGA
(15 gusht 1927 – 8 korrik 2024)

Shkruan
Bexhet Asani Më 8 korrik 2024, në moshën 97 vjeçare pushoi së rrahuri zemra e atdhetarit të shquar Medi Coma nga fshati Ladorisht i Strugës - Maqedoni e Veriut. Medi Coma në fund të viteve gjashtëdhjetë emigron në SHBA. Punoi një dekadë. Përfundimisht e lëshon Amerikën në fillim të viteve tetëdhjetë, në kohën më të vështirë, kur shqiptarët në ish Jugosllavi ndiqeshin, rriheshin, vriteshin. Në këtë kohë Medi Coma dënohet me disa muaj burg për veprimtari patriotike. As burgu nuk e trmbi, ai qëndron stoik në vendlindje pa ia bërë syri tër. Është i vetmi strugan që familjarisht e lëshoi Amerikën për të mos e lëshuar atdheun e tij të dashur. Kush do që të di më gjerë për veprimtarinë patriotike të Medi Comës e gjen te libri i tij autobiografik. Mediu gjatë gjithë jetës së tij ishte në shërbim të çështjes sonë kombëtare. Ndihmoi ekonomikisht Kosovën martire, ndihmoi shkollat në rajonin e Strugës, ndihmoi me mish e me shpirt Universitetin e Tetovës. Sa i përketë Universitetit të Tetovës ruaj këtë kujtim të paharruar me mikun dhe shokun tim të nderuar Medi Coma:

“…Ishte 26 nëntor i vitit 1994. Mbi urën e Drinit takohem me Rahmi Tudën. Pa u përshëndetur më thotë:

  • Ne të dy na kanë caktuar delegatë të Strugës për Universitetin e Tetovës..! – si duket këtë e tha kot: “na kanë caktuar”..! Po kush na kishte caktuar!? Me siguri do ta ketë menduar vetë këtë mënyrë, duke e ditur kokën time të “krisur”! Si të shkonim? As ai s’ kishte veturë, as unë! T’ i themi këtij t’ i themi atij…. Asnjë nuk rrezikonte! Ishte kohë pa kohë. Mua më vajti mendja te një miku im dhe shoku im. Them shoku im sepse më shumë ishim shokë… Vetëm ai në na çoftë! – i them Rahmiut. U nisëm me droje dhe me kokë të rënduar për te Medi Coma, një burrë i qetë për nga natyra, i rrafshët dhe i pasur. Ai kishte punuar disa vjet rresht në Amerikë. Mbërrimë te dera. I rash ziles. Pas pak doli Mediu, si gjithmonë burrë mikpritës.
  • Hajde, urdhëroni brenda!
  • Jo, nuk jemi për brenda. – i them unë. Na kanë caktuar delegatë për Universitetin e Tetovës, do të mund të na çosh..! Pa na bërë fjalën dy tha:
  • Prisni pak. – dhe hyri brenda. I jap shenjë Rahmiut, mirë është puna. Ai nuk e njihte mirë dhe ende priste nën ankth. Me zë të ulët, i sigurt në vetvete i them : – Ne do të mbërrimë me kohë në mbledhje. Nuk shkoi as tri-katër minuta doli përjashta i veshur. – Nisemi! – tha. E mori veturën e tij “Mercedes” nga garazha dhe u nisëm rrugëve gjarpërore për në Tetovë, të tre.
    Arritëm te lokali që kishte caktuar Fadil Sulejmani vendin e takimit. Hymë brenda. Aty kishin ardhur para nesh nja 6-7 delegatë..! Shoh ish profesorin tim Fadil Sulejmanin të ngrysur. Pritëm mbi gjysmë ore. Koha e takimit kishte kaluar.
  • T’ ia nisim profesor..! – fola unë.
  • Të presim edhe pak! – u përgjigj ai. Mbase mund të pritëm edhe mbi gjysmë ore, nuk vinte njeri..! Durimit po i vinte fundi.
  • Fillojani profesor! – fola prerë.
  • Ja të presim edhe pak Bexhet sepse nuk kemi kuorum..! Ndofta vjen edhe ndonjë delegat! – u përgjigj Fadil Sulejmani. Mirë e kishte. Ai donte të kishte mbështetjen e të gjitha Komunave shqiptare..! Por…!
  • Profesor Fadil, kush e di se a kemi apo s’ kemi kuorum këtu..!? Jemi në kushte të jashtëzakonshme! Kohë lufte..! Ju lutem filloni mbledhjen! Ja ne nga Struga jemi tre delegatë. Dhe këta këtu bëhemi nja dhjetë delegatë.
    Shoferi ynë i nderuari Medi Coma, më pëshpërit në vesh: – unë jam me shkollë të mesme! Po në heshtje i them: pse do të të kërkoj njeri diplomë këtu..!? Ti je delegat i tretë nga Struga. I thash prerë tamam sikur të isha ndonjë ushtarak. Medi Coma nuk foli më. U pajtua me atë që i thash.
    Mbledhjen e hapi profesor Fadil Sulejmani. “Delegatët” apo më mirë të them delugatët e morën fjalën njëri pas tjetrit. Të gjithë që flisnin asnjë nuk ishte në rrugë të drejtë, për misionin që ishte e thirrur mbledhja. Më rrotullohen në kokë sot e kësaj dite këto fjali të tyre: – Duhet të pyesim partinë! Ç’ thotë partia!? Duhet të konsultohemi me ata të partisë…! I vetmi që kishte qëndrim parimor ishte Miftar Ziberi, dhe ne delegatët e Strugës. Miftarin e mbajta mend shkaku i mjekrës që mbante, të tjerët delegatë nuk i mbajta mend dhe nuk kishte përse të mbaheshin mend sepse u kishte hyrë frika në bark. Mesa më kujtohet mbledhja u mbajt pa procesverbal. Si nuk m’ u dha atëherë që të mbaja shënim nga ajo mbledhje!? Të shënoja një për një emrat e delegatëve, mendimet e tyre…! Më kot ngrija dorën që ta merrja fjalën. Ujqit e vjetër nuk të linin rend..! Si u shterën ata, më në fund Fadil Sulejmani tha:
  • Ja Bexheti e ka fjalën!
  • Më duket vetja si më i riu në këtë mbledhje. Dëgjoj këtu delegatët, të cilët janë të një mendjeje më duket dhe thonë të pyesim këtë parti apo atë parti. Unë jam njëri ndër themeluesit e gjimnazit “Hajdar Dushi” të Ladorishtit, po të kishim pyetur neve këtë parti apo atë parti, ai gjimnaz nuk do të hapej kurrë. Ne nuk kemi ardhur këtu për të pyetur partitë, por kemi ardhur që të vendosim për datën se kur do të nisë nga puna Universiteti dhe të zgjidhet kuadri..!
    U caktua data, filloi në mbledhje të caktohet kuadri. Rahmi Tuda propozoi Flora Sela – Kastratin. Ajo punonte pa para te Radio Art Kanal i tij privat. Unë mbeta në margina. Emri im nuk u
    përmend fare. Dreq o punë! M’ u kujtua anekdota e napolonit: “Kush e bëri pordhën, kush e mori napolonin…!?” Pas mbledhjes ne delegatët hëngrëm një drekë te një restorant modest. Pas drekës, u nisëm për në Strugë. Po rruga nuk kaloi pa shqetësime. Dikush edhe mund të na hidhte në greminë dhe të shpallej aksident i zakonshëm! Ishte kohë pa kohë. Megjithatë mbërrimë në Strugë shëndosh e mirë, pa ndonjë ferrë në këmbë!….

U prehtë në paqe shpirti yt i trazuar, o miku im i mirë Medi Coma!