Intervistoi” presidentin Biden me pyetje të gatshme, dorëhiqet gazetarja

Një drejtuese emisionesh në radio në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dha dorëheqjen nga detyra, pasi dyshohet se intervistoi presidentin Biden me pyetje që ishin bërë gati nga stafi i tij elektoral.

Andrea Lawful-Sanders, e cila drejtonte emisionin “The Source” në stacionin e radios WURD, e mori kreun e Shtëpisë së Bardhë në intervistë më 3 korrik, disa ditë pas debatit të parë presidencial.

Përmes një deklarate, presidentja e WURD, Sara M. Lomax tha se dërgimi i pyetjeve nga ekipi elektoral shkel praktikën e ruajtjes së pavarësisë mediatike.

E pyetur nga mediat amerikane, gazetarja Lawful-Sanders pranoi se ekipi i fushatës së presidentit i dërgoi asaj 8 pyetje, katër prej të cilave ajo i përdori gjatë intervistës.

Një zëdhënës i fushatës së Biden, në një reagim për këtë çështje tha se nuk është e pazakontë të jepet mendim se në çfarë temash duhet të fokusohet intervista, por drejtuesja e emisionit Lawful-Sanders ishte e lirë të bënte dhe pyetje të tjera.

“Nuk i kushtëzojmë intervistat me pranimin e këtyre pyetjeve dhe drejtuesit e emisioneve janë gjithnjë të lirë të bëjnë pyetjet që ata mendojnë se do t’i informojnë më mirë dëgjuesit e tyre”, tha zëdhënësi i fushatës.