Mexhiti për Samitin e NATO-s: Dy delegacionet të udhëhequra nga Gashi dhe Mickoski kanë agjenda të ndara, BDI të mësohet me realitetin e ri

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor Izet Mexhiti, tha se largimi i dy delegacioneve nga vendi në Samitin e NATO-s në Uashington të udhëhequr nga kryetari i Kuvendit Afrim Gashi dhe kryeministri Hristijan Mickoski është për shkak se të dy kanë agjendat e tyre në këtë ngjarje.

Ai foli edhe për akuzat e BDI-së për këtë ngjarje, ndërsa deklaroi se “ata nuk mund të përshtaten me realitetin e ri të të qenit në opozitë”.

“I ftoj ata të jenë një opozitë konstruktive dhe t’i përkushtohen fillimisht reformave brenda vetes nëse duan të jenë aktor serioz në klimën politike në Maqedoni në të ardhmen. Dhe fakti që kanë shkuar kryeministri dhe kryetari i Kuvendit, që të dy janë figura kyçe politike, para së gjithash përfaqësojnë Maqedoninë e Veriut në ngjarjen e NATO-s, sigurisht askush nuk pret që të kapen për dore dhe të shkojnë atje. Pra, të dy kanë agjendat e tyre, janë atje bashkë, mendoj se do të kenë një event të përbashkët dhe një darkë të përbashkët atje sonte. Sipas rendit të ditës dikush është larguar më herët, dikush më vonë se edhe këtu kanë pasur aktivitete”, thotë Mexhiti në pyetjen e për reagimet në vend, pse dy delegacione të ndryshme udhëtuan në Uashington dhe pse në to nuk kishte përfaqësues nga Koalicioni VLEN.

Mexhiti e bëri deklaratën pas takimit që së bashku me ministrin e Politikës Sociale Fatmir Limani, kryetarin e Komunës së Çairit, Visar Ganiu dhe deputetin Bekim Sali, patën me përfaqësues të Shoqatës së Pensionistëve të Çairit.

BDI-ja opozitare këtë fundjavë shprehu shqetësimin se vendi u përfaqësua për herë të parë nga një delegacion mono-etnik në Samitin e NATO-s në Uashington.

Ndryshe, kryeministri Hristijan Mickoski së bashku me një delegacion nga Qeveria në përbërje të ministrit të Mbrojtjes Vlado Misajlovski, ministrit të Punëve të Jashtme dhe Tregtisë Timço Mucunski si dhe ministrit të Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski janë në vizitë zyrtare në SHBA, ku do të marrin pjesë në samitin e NATO-s. Ndërsa në Samitin Parlamentar të NATO-s në Uashington po merr pjesë edhe kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, njoftoi shërbimi parlamentar për media.