Ariz Saiti – Botë (Dynja) e çuditshme

Botë (Dynja) e çuditshme

Në një botë të mbushur me pasiguri dhe ndryshim të vazhdueshëm, besimi në Allahun është i vetmi burim i qëndrueshmërisë dhe paqes së brendshme. Allahu në Kuran thotë: “Vetëm përmendja e Allahut qetëson zemrat”. (Kuran, 13:28). Kjo na kujton se qetësia e vërtetë vjen nga lidhja jonë me Krijuesin e Gjthçkafit. Mos të harrojmë se Jeta është një udhëtim i përkohshëm e në anën tjetër ajo paraqet një sprovë të përhershme të shpirtit dhe karakterit tonë. Çdo vështirësi dhe çdo sfidë është një mundësi për t’u ngritur shpirtërisht dhe për t’u afruar më shumë me Allahun. Profeti Muhamed a.s. (paqja qoftë mbi të) thotë: “Shikoni ata që janë më poshtë jush (në kualitet jete dhe gjtihçka tjetër) dhe mos shikoni ata që janë më lart jush, në mënyrë që të mos e nënvlerësoni mirësinë që Allahu ju ka dhënë”.
Nëse e kuptojmë këtë urtësi të thellë profetike, ne do të jemi në gjendje të përballojmë çdo sfidë me durim dhe përkushtim, duke e ditur se çdo gjë që ndodh është në përputhje me planin hyjnor të Allahut Fuqiplotë. Pranimi dhe nënshtrimi ndaj vullnetit të Allahut xh.sh. është çelësi për të gjetur paqe të vërtetë dhe për të përjetuar një jetë të mbushur me bekime dhe mëshirë.
Rëndësia e besimit dhe qetësia e brendshme që vjen nga lidhja e fuqishme me Allahun xh.sh. e bën njeriun të akumulojë aq durim sa mund të përballet me të gjitha sfidat e jetës.