Bëhet fjalë për rreth 2 milionë euro – Vazhdon kaosi me transportin privat në Shkup

Edhe sot jeni të reduktuar apo? Po edhe sot, siç u informuat dje. Tani çfarë do të bëni? E përfundoj linjën dhe do e çoj në vend parkim, dhe presim ndonjë lajm a do të fillojmë me punë a jo.– Çfarë thuan qytetaret për linjat e reduktuara? Ato pyesin a do vozisni deri në fund, qytetaret janë shumë të revoltuar sidomos në linjat 19 dhe 20, janë tepër të revoltuar, e përfundoj linjën tani dhe do presim përgjigje”.

Me këtë ndalesë të fundit, shoferi i autobusit të linjës 19 mbylli edhe sot turnin e tij të punës sipas premtimit se do të punohej deri në orën 10:00, shkruan Alsat.

Pjesa më e madhe e linjave private ndoqën të njëjtin shembull, duke i qëndruar besnike kërkesës së tyre për mos pagesën e borxhit të prapambetur që nga 1 janari i këtij viti. Në konferencën e radhës për shtyp, ata ritheksuan edhe njëherë kushtet e tyre.

“Ne nuk do ta ndryshojmë qëndrimin tonë të vozitjes, vetëm mund ta reduktojmë vozitjen për arsye se nuk kemi mjete se si të vozisim autobusët. Unë e lus NQP-në të bëje pagesën që të mund të vozisim sipas rendit të vozitjes, derisa nuk kemi të ardhura apo para ne nuk mund ta ndërrojmë qëndrimin. A kishit takim me drejtorin e ri? Jo nuk kishim takim ne vozitësit por drejtorët tonë kishin dhe në takim s’ka pasur asnjë gjë pozitive”, tha Oliver Petrushevski – vozitës.

Problemi me autobusët privatë, të cilët mbulojnë më së shumti rajonet periferikë si Shutkë, Çair, Luboten etj, u rishfaq në fillim të vitit, pas protestave të tyre për pagesat e vonuara. Sipas privatëve, bëhet fjalë për rreth 2 milion euro, që NQP nuk i ka paguar kundrejt tyre.

Përveç manipulimeve të vogla, me pagesa të shkurtra here pas here por pa e zgjidhur përfundimisht borxhin, si dhe ndonjëherë edhe me kërcënime për ndërprerje të kontratave, NQP-ja ka vendosur të heshtë.

Përgjigjet e mëhershme të kësaj ndërmarrjeje ishin se nuk mund të arrinin marrëveshje pagese me qytetin e Shkupit. Skandali me privatët paralizoi Shkupin edhe në nëntor të vitit 2022, kur autobusët në protestë bllokuan kryqëzimet kryesore të Shkupit për ditë me radhë.

Ky mandat i NQP-së dhe i qytetit të Shkupit do të njihet si një nga dështimet më të mëdha në transportin publik në kryeqytet.