Mickoski ironizon me shifrat e regjistrimit në Shqipëri: A do ta kushtëzojë Radev edhe Shqipërinë?

Kryeministri Mickoski ironizon shifrat e regjistrimit në Shqipëri, gjegjësisht numrin e lartë të bullgarëve dhe numrin e ulët të maqedonasve.

Ai, duke komentuar qasjen e Bullgarisë, pyet se a do të vijë koha kur shumë shpejt Radev do të kushtëzojë edhe Shqipërinë për futjen e bullgarëve në Kushtetutë.

Megjithatë në deklaratën e tij Mickoski theksoi dështimin e politikave të qeverisë së kaluar LSDM-BDI që ka lejuar paraqitjen e shifrave kontestuese të bullgarëve në Shqipëri.

“Më vjen keq që kjo po ndodh por fajtori ka emër dhe mbiemër dhe kjo është qeveria LSDM dhe BDI. Qeveria bullgare me propagandën e saj vetëm se e shfrytëzoi hapësirën boshe të cilën këto ua kanë lënë. Ajo politikë asimiluese nga fiqnj ynë lindor nuk është vetëm tek maqedonasit. Nëse i shihni numrat do të shihni se ajo përfshin edhe një pjesë të madhe të qytetarëve të tjerë të Shqipërisë dhe kjo duhet të analizohet më seriozisht. Meqë tani në Shqipëri ka tre herë më shumë që deklarohen bullgarë se sa te ne, shtrohet pyetja a do të ketë kusht edhe për Shqipërinë që ata të përfshihen në Preambulë?”, tha Hristijan Mickoski, kryeministër.

Komenti i Mickoskit është i pari për regjistrimin e popullsisë në Shqipëri ku shifrat e qytetarëve që ishin deklaruar bullgar ishin befasuese.

Megjithatë që vitin e kaluar partia e tij ka ngritur dyshimet se Bullgaria bën propagandë që qytetarët maqedonas atje të deklarohen bullgarë.

Marrëdhëniet mes dy vendeve po ashpërsohen, sidomos me qëndrimet e fundit publike mes krerëve të dy shteteve.

Mickoski sot dha përgjigje më të përmbajtur ndaj presidentit bullgar Rumen Radev, i cili një ditë më parë kritikoi qeverinë se ka mungesë të njohurive të të drejtës ndërkombëtare dhe evropiane, sa i takon rishikimit të marrëveshjeve të arritura.

Mickoski thotë se fqinjët duhet të ndërtojnë ura bashkëpunimi dhe jo të nënçmojnë njëri-tjetrin.

“Unë dua që ne si shtete ballkanike të ndjekim shembujt e shteteve të tjera si vendet baltike, skandinave dhe gjithë bashkë të bashkuar dhe me marrëveshje, duke ndërtuar ura, të marrim pjesë në tregje të treta para zyrtarëve të BE-së dhe gjithkund nëpër botë, të ndërtojmë një politikë të mirë fqinjësore. Me nënçmime dhe ofendime kjo punë nuk shkon. Unë kam menduar se këtë formë të sjelljes e kemi lënë në mesjetë”, u shpreh Hristijan Mickoski, kryeministër.

Radev këmbëngul se nuk ka asnjë gjasë për rishikimin e marrëveshjes që është arritur mes dy vendeve dhe as të kornizës negociuese të Maqedonisë që përfshin si kusht përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë.