Do të përcillet sot për në banesën e fundit shkrimtari i madh Ismail Kadare. Qeveria shpalli të hënën dy ditë zie në nderim të gjeniut të letrave shqipe, i cili u nda nga jeta mëngjesin e 1 korrikut në moshën 88-vjeçare.
Kadare do të përcillet me ceremoni shtetërore, ndërsa homazhet do të mbahen në mjediset e Teatrit të Operës dhe Baletit.
Kolosi i letrave shqipe Ismail Kadare është vlerësuar ndërkombëtarisht me një sërë titujsh. Dekoratën e fundit “Oficeri të Madh të Legjionit të Nderit” ai e mori më 16 tetor të vitit 2023 nga presidenti i Francës Emmanuel Macron gjatë një ceremonie në Tiranë. Ai bëri që Shqipëria të ishte pjesë e letërsisë botërore.
Ceremonia shtetërore për nderimet dhe përcjelljen e fundit të personalitetit të shquar të Letrave Shqipe, Ismail Kadare, do të nisë në orën 09:00 me homazhe publike në Teatrin Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor.
Në orën 11:30 do të mbahet ceremonia e Lamtumirës, teksa kortezhi do të niset drejt varrezave të Tufinës rreth orës 12:30.
Shpenzimet e funeralit do të mbulohen të gjitha nga Ministria e Kulturës. Të mërkurën në orën 13:00 do të mbahet një minutë heshtje në të gjithë vendin, teksa e mërkura është shpallur ditë zie dhe në Kosovë.