Kryetari i Komisionit Rregullator për Energjetikë, Marko Bislimovski tha se shtrenjtimi i rrymës elektrike nuk do të jetë problem për shumicën e qytetarëve.
Bislimovski thotë se mesatarisht, shumica e amvisërive do të paguajë fatura të rrymës elektrike për 4 denarë më shtrenjtë në muaj.
“Për 88% të amvisërive, rritja është 0,4%, kjo e “përkthyer” në para, për 1000 denarë nëse dikush paguan, tani do të paguajë 1004 denarë, nëse dikujt i duket problematike, nuk është, edhe vetë qytetarët e dinë”, tha Bislimovski në “Daily Click” në “TV21”.
Bislimovski thotë se investimet kanë kontribuar që Maqedonia të shkojë drejt pavarësisë energjetike dhe se tani më shumë se 97% e ka energjinë vendase, ndërsa 2,75% importohet.
“Importet janë në nivelin më të ulët të regjistruar. Kjo energji është e jona, vendore. Drejtohet nga kompani vendore, paratë mbeten brenda Maqedonisë. Edhe pse mulliri me erë është privat, ai është këtu. Dua të them se Maqedonia në periudha të caktuara të janarit dhe shkurtit është përballur me pamundësinë e importit të energjisë elektrike, sepse Bullgaria dhe Serbia kanë mbyllur tregjet”, tha Bislimovski.