Mickoski për balancuesin: Duhet të shfuqizohet, nuk do të ketë diskriminim në baza etnike

Kryeministri Hristijan Mickoski vlerëson se balancuesi duhet të shfuqizohet pasi vjen si rekomandim edhe nga procesi i skriningut të Bashkimit Evropian. Numri “një” i qeverisë tha se megjithatë në periudhën në vijim duhet të gjendet zgjidhje që secili qytetar të jetë i barabartë dhe askush të mos diskriminohet për shkak të përkatësisë së tij në çfarëdo lloj baze.

“Kështu që ajo që duhet të ndodh në periudhën që vijon, është qytetari në fokusin tonë. Për atë, ne kemi hashtag Maqedonia për ty, ai është hashtagu ynë, ajo është motoja e jonë dhe ajo është fushata jonë, Maqedonia për ty. Dhe këtu, nuk themi Maqedonia për shqiptarët, Maqedonia për maqedonasit, për serbët, vllahët, për romët, për boshnjakët, por për ty. Për të gjithë qytetarët. Këtu nuk duhet të ketë askush asnjë dilemë. Kaloi koha e politikanëve nacional romantikë, të cilët nën flamurin e nacionalizmit dhe romantizmit e kanë vjedhur qytetarin”, deklaroi Hristijan Mickoski, kryeministër i Maqedonisë së Veriut.

Por nga VLEN, vazhdojnë të insistojnë se megjithatë balancuesi do të zëvendësohet me ligj të veçantë për përfaqësim të drejtë.

“Ne jemi marrë vesh. Para duhet të sjellim ligj për përfaqësim të drejtë dhe adekuat dhe mbas asaj do ta heqim balancuesin se s’ka nevojë kur të ketë ligj”, deklaroi Arben Taravari, VLEN.

Të njëjtën e deklaroi paraprakisht edhe zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti, i cili tha se balancuesi nuk po degradohet, por po ngrihet në nivel më të lartë, që përfaqësimi adekuat i komuniteteve të jetë normë ligjore.
Çështja e shfuqizimit të balancuesit tanimë një kohë të gjatë është temë debati, pasi në periudhën e kaluar është keqpërdorur shumë. Respektivisht, ka pasur shumë raste kur qytetarët rrejshëm janë paraqitur si pjesë e një komuniteti vetëm për t’u punësuar. Nga ana tjetër, shteti nuk ka mekanizma ligjor këtë për ta parandaluar këtë keqpërdorim.

Kritika ka pasur edhe për qasjen e përparësisë së përkatësisë etnike para cilësive të kandidatëve. Megjithatë, sipas Avokatit të Popullit këto nuk mund të jenë arsye për t’u shfuqizuar balancuesi. Sipas tij, i njëjti duhet të avancohet apo të zëvendësohet me mekanizëm tjetër. Qëllimi kryesor i këtij instrumenti qe bazohet në Marrëveshjen e Ohrit dhe Kushtetutë është që të parandalojë diskriminimin në bazë etnike gjatë punësimeve.