Oficerët e Tiranës me në krye prokurorin Bledar Valikaj kanë arritur të zbulojnë pas një viti hetime intensive skemën që përdornin mjekët dhe stafi i Shërbimit Onkologjik në QSUNT, për të dërguar pacientët me kancer në klinika private, që janë në pronësi të vetë mjekëve të shtetit.
Siç shihet dhe në dosjen hetimore, koordinatori Emiljano Lela i merrte pacientët pa radhë dhe i dërgonte të mjeku Edmond Gashi, pavarësisht se rekomandimi i qytetarëve që paraqiteshin në Onkologjik kishte emër tjetër.
Mjeku Edmond Gashi, i sugjeron pacientët të shkojnë në klinikën private që ai kishte, “Megis”, duke ju thënë se në shtet ishte radhë e madhe dhe situata në spitalet shtetërore ishte emergjente. Ndodhur në këto kushte, pacientët me kancer të detyruar nga halli që kishin, shkonin në klinikën private të dr.Mondit.
Për çdo pacient që i çonte koordinatori Emiljano Lela, doktor Edmond Gashi i jepte këtij të fundit përqindje, nga shuma totale që ata paguanin.
Më i rëndë është dhe fakti tjetër, që siç thuhet në dosje, doktor Edmond Gashi nuk u tregonte pacientëve që në klinikën e tij private bëheshin vetëm skanerat, sepse biopsia dhe kimioterapitë dhe rrezet duhet t’i kryenin në spitalin shtetëror, ku ai më parë ju thoshte se ishte radhë e madhe.
Pra, një skemë kriminale e përdorur me qëllimin e pastër për të zhvatur pacientët dhe për të ndarë fitimet mes kolegëve, sepse në fakt shërbimi në shtet ofrohej.
Nga këqyrja e bisedave telefonike ka rezultuar se mjeku Edmond Gashi nuk shkonte në klinikë për të parë pacientët që kishte çuar. Madje, edhe kur infermieret e lajmëronin se pacientët kishin temperaturë, ai u përgjigjej: vari leshtë!