Maqedonia e Veriut për të tretën ditë me radhë ndodhet në fazën portokalli dhe njësoj do të vazhdojë edhe gjatë fundjavës.
“Përveç temperaturave përvëluese, këto ditë do të kemi qiell të turbullt për shkak të grimcave të imëta të pluhurit të Saharës që prej dje ndodhen në vendin tonë. Lartësia e tyre shkon nga 1 deri në 3 kilometra nga toka”, raporton Ajnur Bafqari, gazetare.
Sipas parashikimeve e gjithë vera pritet të jetë shumë e nxehtë dhe e thatë, ndërsa pritet të tejkalohet statistikat mesatare shumëvjeçare. Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike ka siguruar të dhëna nga analizat e qendrave evropiane dhe botërore, të cilat parashohin rritje më të madhe të temperaturave në muajin korrik.
“Për territorin e Maqedonisë së Veriut ka një mundësi shumë të lartë që temperaturat të tejkalojnë vlerat mesatare. Tejkalimi i temperaturave mesatare mund të arrijë deri në 3 gradë Celsius pothuajse në të gjithë territorin. Devijimi më i madh pozitiv i temperaturës së ajrit prej mesatares shumëvjeçare për këtë sezon pritet të jetë në muajin korrik”, njoftojnë nga Enti Hidrometeorologjik.
Nga Organizata Botërore e Meteorologjisë kohë më parë ngritën alarmin për një rekord të ri të temperaturave të larta këtë vit. Sinoptikët vendorë thonë se bazuar në ngrohjen globale, çdo muaj ka publikime të reja që flasin për rekorde, në raport me vitet paraprake.
“Vazhdimisht, muaj pas muaji publikohet se ky është muaji më i nxehtë në vargun e matjeve, pastaj në muajin tjetër përsëri themi vazhdimisht se muaji i tretë, i katërt, muaji i pestë më i ngrohti në vargun e matjeve. Në fakt u dëshmua se sasia më e madhe e të nxehtit mbeti në detin Mesdhe, deti nuk u ftoh mjaftueshëm si në vitet e kaluara dhe ajo nxehtësi ndihmoi se kjo sasi e të nxehtit që e kemi tani të jep temperatura të larta”, tha Boris Sekiraski, Drejtoria për punë hidrometeorologjike.
Sipas hulumtimeve të Sektorit për meteorologji, në 20 vitet e fundit temperaturat mesatare vazhdimisht janë në rritje, ndërsa temperaturat më ekstreme në muajin qershor janë matur në vitin 2007, kur në Demir Kapi termometri shënoi 43,1 gradë Celsius, në Gjevgjeli 42,6 ndërsa në Shkup 41, 4.