Nga mbledhja e 27-të e Qeverisë: Rekomandime për qytetarët dhe punëdhënësit për shkak të paralajmërimeve për valë të nxehti nga nesër.
Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, me kërkesë të Ministrisë së Shëndetësisë, ka dhënë rekomandime lidhur me valën e re të të nxehtit që nga nesër pritet të përfshi të gjithë shtetin.
Nga Instituti i Shëndetit Publik dhe alarmi i motit i Institutit për Çështje Hidrometeorologjike janë marrë informacione se nga nesër 19.06.2024 (e mërkurë) dhe 23.06.2024 (e dielë), i gjithë territori i Republikës së Maqedonisë së Veriut do të përfshihet nga vala e të nxehtit me fazë portokalli.
Qeveria i miratoi rekomandimet e Ministrisë së Shëndetësisë për uljen e rreziqeve nga temperaturat e larta, në përputhje me Planin e veprimit të Ministrisë për parandalimin e pasojave nga vala e të nxehtit mbi shëndetin e popullatës sipas të cilit për periudhën nga nesër 19.06.2024 (e mërkurë) deri më 23.06.2024 (e dielë) është paraparë:
1. Lirim nga detyrimet e punës për grupet më të rrezikuara të popullsisë, gjegjësisht: gratë shtatzëna dhe personat mbi 60 vjet;
2. Në institucionet e kujdesit për fëmijët (kopshtet) mos praktikohet aktiviteti fizik dhe fëmijët mos nxirren jashtë në periudhën nga ora 11:00 deri në 17:00;
3. Njësitë e vetëqeverisjes lokale, Kryqi i Kuq dhe Qendrat për Çështje Sociale, në rajonet e prekura nga vala e të nxehtit, të ofrojnë ndihmë për personat e vetmuar, të moshuar, të pafuqishëm, të pastrehë;
4. Duke pasur parasysh faktin se disa procese të rrezikshme të prodhimit dhe teknologjisë mund të paraqesin rrezik shtesë për shëndetin e punëtorëve të ekspozuar, rikujtohen punëdhënësit për detyrimin e respektimit të rregulloreve ligjore të kësaj fushe.
Qeveria me propozim të Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale ka shqyrtuar dhe miratuar Informacionin lidhur me Vendimin për ndërprerjen e mandatit në pajtim me Ligjin për kryetarin e Komunës së Sarajit dhe ka miratuar Vendimin për ndërprerjen e mandatit në bazë të Ligjit për kryetarin e Komunës së Sarajit, pas verifikimit të mandatit të tij si deputet.