Hristijan Mickoski dorëzoi në Kuvend propozimin për kabinetin e ri qeveritar dhe programin e qeverisë, shkruan Alsat.
Ai premtoi rimëkëmbje ekonomike, luftë kundër korrupsionit, fokus tek të rinjtë, etj. Mandatari për kryeministër tha se beson tek secili kandidat që ka propozuar.
Ai shtoi se planifikon të zbardhë secilin keqpërdorim që është bërë në shtatë vitet e kaluara dhe se me këtë do të merret personalisht.
“Pres luftë të pakompromistë ndaj krimit dhe korrupsionit të secilit lloji. Nuk do të ketë tolerancë pa marrë parasysh nga cila parti politike vjen keqpërdorimi ose autorizimi i cilitdo personi të emëruar. Pres rezultate të shpejta në fushën e ekonomisë, biznesi mund të ndjehet i sigurt sepse kemi qeveri të fortë dhe stabile e cila do të zbarojë reforma. Të rinjtë do të jetë theksi ynë kryesor. jemi dëshmitar të një eksodi klasik të të rinjve që e lëshojnë vendin dhe kërkojnë të ardhmen diku tjetër”, tha Hristijan Micskoski, mandatar.
Sipas LSDM-së, Mickoski nuk ka plan konkret për rritjen e pensioneve, për të parandaluar rritjen e çmimeve dhe as për realizimin e interesit strategjik, anëtarësimin në BE.
“Nga ajo që u tha publikisht, nuk ekziston plan konkret në fushën e ekonomisë, si do të mbrohet paga minimale, si do të rritet paga mesatare, nuk e dimë se si do të rriten pensionet dhe cili është sistemi që do të garantojë rritjen e pensioneve, se si do të ndalojnë rritjen e çmimeve, as se çfarë do të ndodhë me shëndetësinë, si një ndër segmentet kyçe… edhe potenciali kadrovik që ofrohet, absolutisht nuk mund t’u përgjigjet pritshmërive të qytetarëve dhe as premtimeve që u dhanë në zgjedhje”, u shpreh Oliver Spasovski, koordinator i grupit parlamentar të LSDM-së.
Seanca për votimin e qeverisë së re dhe programit të saj pritet të mbahet në fundjavë. Debati mund të zgjasë e shumta dy ditë./ Alsat.mk