Partitë e pushtetit të ardhshëm kërkojnë zgjidhje ligjore që të mos ketë nevojë për zgjedhje të parakohshme në komunat të cilat pas zgjedhjeve parlamentare kanë mbetur ose do të mbesin pa kryetar. Bëhet fjalë për Aerodromin dhe Gostivarin, krerët e të cilave do të kalojnë në pushtetin qendror ekzekutiv, si dhe për Komunën e Sarajit, kreu i të cilës zgjodhi të ushtrojë mandatin e deputetit. Hristijan Mickoski vlerëson se nuk duhet të ketë zgjedhje të parakohshme, meqë zgjedhjet e rregullta do të jetë në vjeshtë të vitit të ardhshëm.
“Vlerësojmë se nuk duhet të harxhojmë edhe më shumë para të qytetarëve. Ata zgjedhje në disa komuna do të kushtonin ndoshta një milion euro. Me ato para mund të bëjmë ndonjë bulevard, ndonjë çerdhe të re, të renovojmë ndonjë shkollë, në vend që me lojërat tona politike t’i malltretojmë qytetarët tani në nëntor ose dhjetor dhe pas një viti, në shtator ose tetor edhe një herë”, tha Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.
Një propozim-ndryshim i dy ligjeve që prek çështja, ligjit për vetëqeverisje lokale dhe Kodit zgjedhor duhet të jetë së shpejti në dorën e deputetëve dhe të shqyrtohet në seancë plenare. Edhe koalicioni VLEN ka deklaruar se duhet gjetur zgjidhje. Sipas tyre, zgjidhja duhet të parashikojë që nëse me largimin e kreut të komunës kanë mbetur edhe më pak se dy vjet deri në zgjedhjet e rregullta, këshilli komunal të ketë të drejtë të zgjedhë kreun e ri të komunës që do të menaxhojë me institucionin.
“Nëse deri në zgjedhje ka më pak se dy vite, duhet të zgjidhet kryetar komune me të njëjtën procedurë si zgjidhet kryetar i këshillit”, thonë nga VLEN.
Partitë e pushtetit të ardhshëm kërkojnë mbështetje për miratimin e këtyre ndryshimeve me konsensus. Alsat kërkoi qëndrim edhe nga Fronti Evropian, edhe nga LSDM-ja për këtë çështje, por nuk morëm përgjigje./Alsat.mk