Bija e peshkatarit

Bija e peshkatarit


Ai ishte me profesion peshkatar, kishte tre vajza dhe secilën prej tyre, e merrte me vete çdo ditë për të peshkuar. Ata qëndronin gjithë ditën në bregun e lumit, ku hidhnin rrjetën për të zënë peshk. Në muzg, ktheheshin në shtëpi me peshkun e mbledhur për atë ditë. Teksa një ditë po hanin mëngjes, njëra nga vajzat thotë:”Peshku nuk mund të bjerë në rrjetën e peshkatarit, veçse nëse harron të përmendë Zotin!”

Njëra nga motrat e pyeti:”Pse, përveç njeriut, edhe peshqit e përmendin Zotin o babi?!”

I ati ia ktheu:”Po bija ime. Çdo krijesë e gjallë e përmend Zotin dhe Krijuesin e saj, duke e pranuar që është thjesht një krijesë e Tij. Shpendët, peshqit dhe gjithçka tjetër e përmend Zotin.”

Vajza u çudit nga fjalët e të atit dhe pasi u mendua pak, tha:”Por ne nuk i dëgjojmë teksa e përmendin Zotin dhe e madhërojnë Atë! Madje as nuk e kuptojmë si komunikojnë me njëra-tjetrën këto kafshë!”

I ati buzëqeshi dhe i tha:”Gjithçka e madhëron Zotin, por ju nuk e kuptoni dot gjuhën e tyre. Secila nga krijesat dhe qeniet që shohim, ka gjuhën e saj me të cilën komunikojnë brenda llojit të tyre. Zoti është Ai që e di gjuhën e tyre dhe e kupton atë.”

Kur i erdhi radha Lejlës të dalë me të atin, mori një vendim për të cilin nuk i tregoi askujt, vetëm ajo duhej ta dinte. Bashkë me të atin, ajo mbërriti tek bregu i lumit dhe hodhën rrjetën. Të dy, u lutën që Zoti ti furnizojë me sa më shumë peshk për atë ditë. Pas pak, rrjeta u tund fort dhe peshkatari e tërhoqi, për të nxjerrë një peshk të madh. Asnjëherë nuk kishte parë, e aq më pak kapur, një peshk të tillë. Ai u gëzua shumë dhe pasi e nxori peshkun nga rrjeta, ia dha vajzës së tij Lejlës  dhe rrjetën e hodhi sërish në lum. Pas disa çastesh, rrjeta tundet sërish dhe përsëri del një peshk i madh. Sa herë që hidhej rrjeta, zinte një peshk shumë të madh. Por, sa herë që kapej një peshk i tillë, Lejla e hidhte sërish në lum, pa dijeninë e të atit. 

Në muzg, i atij e mblodhi rrjetën dhe u bë gati të nisej për në shtëpi. Por kur pa që gropa ku mbanin peshqit e zënë, nuk kishte asnjë peshk, rrudhi buzat dhe pyeti gjithë habi:”Ku janë peshqit moj Lejla?! Ku i ke vënë?!”

Lejla, i tha:”I ktheva sërish në lum babi.”

I ati e pyeti po aq i habitur:”Çfarë?! I ke hedhur sërish në lum?! Po përse?! Ne na ra bretku duke i kapur!”

Lejla ia ktheu:”Sepse dëgjova dje që thoshit se peshku nuk bie në rrjetë, veçse nëse harron dhe neglizhon përmendjen e Zotit. Unë nuk doja që në shtëpinë tonë të hyjë qoftë dhe peshk që nuk e përmend Zotin.”

Peshkatari e pa në sy vajzën e saj dhe pasi i dhuroi një buzëqeshje, i tha:”Po bija ime. Ke të drejtë.”

Të dy u kthyen në shtëpi, duarbosh atë ditë.

Një ditë më vonë, mbreti kishte dalë për tu takuar me njerëzit në fshatin e kësaj familjeje. Duke kaluar pranë shtëpisë së peshkatarit, ndjen etje dhe troket në derën e tyre duke kërkuar ujë për të pirë.

Motra e Lejlës, i ofron ujë mbretit, të cilin nuk e njihte kush është, pasi ishte me rroba të thjeshta. Pasi piu, mbreti falënderoi Zotin dhe nxori nga xhepi një qese me flori, të cilat ia zgjati vajzës dhe i tha:”Merri vogëlushe! Janë dhuratë prej meje!” Mandej u largua drejt destinacionit të tij.

Vajza e mbylli derën e shtëpisë dhe gati sa nuk po fluturonte nga gëzimi. Sigurisht u gëzuan dhe familjarët e tjerë. Nëna i tha:”Zoti na i kompensoi peshqit e djeshëm me diçka më të mirë!”

Por, Lejla, po qante e strukur në një cep të shtëpisë dhe nuk merrte pjesë në gëzimin e familjes. Të gjithë u çuditën kur e panë me lot në sy dhe i ati e pyeti:”Përse qan moj bijë?! A nuk e sheh që Zoti na e kompensoi peshkun e djeshëm, me një qese flori?”

Lejla u përgjigj:”Po babi. Një krijesë e Zotit, ky njeri, na pa me syrin e dhembshurisë dhe sa hap e mbyll sytë, u bëmë të pasur. Po sikur të na shohë vetë Zoti me syrin e dhembshurisë dhe dashurisë?!”

Babai, i lumtur nga këto fjalë, tha:”Po bija ime. Falënderojmë Zotin i cili e ka frymëzuar familjen tonë që ti kujtojmë mirësitë dhe begatitë e Tij.”