30-vjetori i themelimit të Universitetit të Tetovës (4 qershor 1994 -2024)

P ë r v j e t o r

30-vjetori i themelimit të Universitetit të Tetovës
(4 qershor 1994 -2024)

DITA E THEMELIMIT TË UNIVERSITETIT TË TETOVËS

“Të mos presim vetëm nga qeveria, por edhe vetë të mundohemi, se një qeveri që nuk na ka bërë zgjidhje deri sot, edhe tani e tutje mund të na lerë të shkretë dhe të shkojmë kot.” (nga vepra “Mendime”)

– Rexhep VOKA

“Iniciativa e hapjes së Universitetit me mësim në gjuhën shqipe në Maqedoni u konkretizua më 4 qershor, kur u mbajt Kuvendi për themelimin e Universitetit nga intelektualët shqiptarë të rangut universitar. Duke hyrë në lokalet e kësaj godine për të mbajtur këtë mbledhje, për herë të parë në historinë e shqiptarëve të Maqedonisë u hapën dyert e Universitetit shqiptar dhe kështu kemi marrë çelësat e fatit në duart tona, të historisë, të traditës e të gjuhës tonë.” (Nga raporti i punës së organeve të Universitetit, më 27 gusht 1994)

– Fadil SULEJMANI

“Dielli për shqiptarët asnjëherë nuk ka lindur vonë, por gati gjithmonë ky dell për shqiptarët është zënë me shoshë, nga pushtetet shtypës dhe jodemikratikë, politika bastarde dhe falsifikatorët e porositur të historisë.”

– Abdulla MEHMETI

„Universiteti i Tetovës, padyshim nuk e kishte vetëm rolin akademik, krijimin e një klase intelektuale, por, ishte edhe promotor dhe bartës i përpjekjeve të pareshtura të shqiptarëve për të realizuar të drejtat e barabarta dhe përmirësimin e pozitës kushtetuese të shqiptarëve, që të jetë një komb me të drejta të barabarta shtetformuese në Maqedoni.”

– Arsim Bajrami, profesor i së drejtës kushtetuese në Universitetin e Prishtinës dhe Doktor nderi i shkencave i Universitetit Shtetëror të Tetovës (2016)

DATA HISTORIKE E LAVDISHME E THEMELIMIT TË UNIVERSITETIT TË TETOVËS

“Tetovë, 5 qershor

Tetova dje ishte dëshmitare edhe e një date historike për popullin shqiptar. Në sallën e Kuvendit të komunës së Tetovës, me iniciativë të Bashkësisë Kulturore Shqiptare në Maqedoni u mbajt mbledhje përkitazi me organizimin e shkollimit të lartë, i cili me vendimin e të pranishmëve u shndërrua në Kuvend për themelimin e Universitetit në gjuhën shqipe në Maqedoni, ku morën pjesë intelektualë të rangut universitar nga të gjitha trojet e Maqedonisë ku banojnë shqiptarët. Që në fillim të mbledhjes kryetari i Bashkësisë Kulturore Shqiptare, Abdulla Memeti, në fjalën e hapjes, pos tjerash kërkoi që në këtë tubim të dominojë arsyeja, mençuria dhe harmonia mes të pranishmëve (që ishte paralajmërim se do të ketë edhe diskutime polemizuese), ndërsa lidhur me arsyeshmërinë e hapjes së këtij institucioni në Maqedoni foli dr. Fadil Sulejmani. “

– Enver Shala, gazeta ,,Flaka”, Shkup, 6 qershor 1994)

Një nga këto ngjarje në historinë më e re të popullit shqiptar, në Maqedoni dhe jo vetëm, është themelimi i Universitetit të Tetovës, institucioni i parë për arsimin universitar në gjuhën amtare, i cili nga shumë studiues është vlerësuar si projekti më i madh kombëtar, jo vetëm arsimor, kulturor dhe shkencor, por edhe si projekt me të cilin janë lidhur zhvillimet e mëvonshme politike për avancimin e pozitës së shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë.

Nga mediet e kohës dhe gazetarët pjesëmarrës në Kuvendin themelues të Universitetit të Tetovës, i cili është mbajtur me iniciativën e Bashkësi Kulturore Shqiptare në Maqedoni, tridhjetë vjet më parë është vlerësuar ngjarje historik për popullin shqiptar.

Si vlerësohet sot kjo ngjarje, këtë u takon ta thonë drejtuesit aktualë të këtij Universiteti, historianët dhe studiuesit, në bazë të burimeve të shkruara dhe dokumenteve relevante, për të mos u lënë shteg manipuluesve dhe falsifikatorëve të kësaj historie të lavdishme, nga më të rëndësishmet në historinë e re të kombit shqiptar.

Populli shqiptar në Maqedoni tanimë e ka arritur pjekurinë e duhur politike dhe kombëtare që të reflektojë dhe veprojë në mënyrë të dinjitetshme, për hir të së vërtetës historike dhe në nderim të atyre intelektualëve vizionarë, të cilët guxuan dhe ditën në kohën e duhur t’i realizojnë aspiratat historike të shqiptarëve, për gjuhën shqipe dhe shkollën kombëtare, arsimimin universitar në gjuhën amtare dhe mbrojtjen e identitetit kombëtar.

*Autori i shkrimit është inciatori dhe ideatori i themelimit, autori i Platformës për hapjen e Universitetit Shqiptar në Maqedoni (nga Kuvendi themelues: Universiteti i Tetovës).

*Në bashkëngjitje jepen dëshmi nga shtypi ditor i kohës.

(4 qershor 2024)