28 persona janë privuar nga liria në një aksion të kryer mbrëmë nga policia dhe Prokuroria Publike për tregti të paligjshme me drogë, armë dhe substanca të rrezikshme. Të arrestuarit janë kryesisht nga Shkupi por edhe nga Koçani. Policia ka siguruar prova materiale për përfshirjen e disa prej personave në shitjen në rrugë të kokainës, amfetaminës dhe marijuhanës.
Gjatë aksionit, është konfiskuar një motor “Honda” si dhe një veturë “Ford Mondeo”, për të cilat janë siguruar prova se janë përdorur për shitjen e kokainës. Nga SPB Shkup gjatë ditës së sotme do të dorëzohet kallëzim penal në prokurori kundër 7 personave. Policia gjithashtu ka lëshuar urdhër kërkimi dhe arresti për një 41 vjeçar F.D. nga Shkupi i cili nuk i është ndaluar policisë dhe gjatë arratisjes ka dëmtuar tre vetura zyrtare. Përveç për kontrabandim me lëndë narkotike, ai tani ngarkohet edhe me veprën e pengimit të personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.