Osmani edhe një herë për legjitimitetin: Shqiptarët po shndërrohen në popull të para Marrëveshjes së Ohrit

Mekanizmat mbrojtës të marrëveshjes së Ohrit, që ishin kushti për t’u dakorduar për një rend të tillë kushtetues, ishin për të mbrojtur komunitetin e dytë nga majorizimi, sepse shumica i ka numrat për ta mbrojtur veten. Kështu shkruan në profilin e tij ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, ndërsa komenton zërat dhe akuzat se ishte pikërisht BDI ajo që e theu parimin “fituesi me fituesin” në vitin 2016, kur BDI koalicionoi me LSDM-në edhe pse zgjedhjet tek pala maqedonase i kishte fituar VMRO-DPMNE.

Postimi i plotë i Bujar Osmanit:

I dëgjoj disa derisa thonë: “Ju e keni thyer të parët parimin në vitin 2016 kur bëtë koalicion me LSDM-në”. Edhe njëherë them se mekanizmat mbrojtës të marrëveshjes së Ohrit, që ishin kushti për t’u dakorduar për një rend të tillë kushtetues, ishin për të mbrojtur komunitetin e dytë nga majorizimi, sepse shumica i ka numrat për ta mbrojtur veten. Pa mekanizmat e mbrojtjes së legjitimitetit, shqiptarët shndërrohen në popull të para marrëveshjes së Ohrit, që ka nevojë për mekanizma të rinj mbrojtës nga defaktorizimi dhe margjinalizimi, siç po mendon dikush se mund ta bëjë tash.