Meriton Gega në një moment kyç zbulon shumë gjëra, flet edhe për ndeshjen me Shkëndijën

Trajneri Meriton Gega fundjavën që lamë pas për herë të parë debutoi si kryetrajner i Struga Trim Lum. I njëjti debutoi me fitore, ndërsa para vetes ka edhe dy ndeshje finale, që do të vendosin edhe fatin e titullit kampion…

Derisa gara për titull në Ligën e Parë po shkon drejt fundit, trajneri Meriton Gega, mori pak kohë për të reflektuar mbi sezonin e deritanishëm, ndeshjen e tij debutuese si kryetrajner si dhe dy ndeshjet e mëdha që na presin.

Edhe pse jo në rolin kryesor, Gega që nga fillimi i sezonit ishte pjesë e skuadrës, ashtu që i njëjti na foli për momentet kyçe në këtë kampanjë, të cilën mund ta mbyllim me një sukses tjetër të jashtëzakonshëm.

“E vërtetë që nuk isha në rolin e kryetrajnerit, mirëpo isha afër skuadrës në të gjitha momentet, që nga fillimi i kampionatit. Mund të them se lojtarët ishin të rimbushur, stafi ishte më se i kompletuar, në klub mbizotëronte një atmosferë e shkëlqyer pas atij sezoni të shkëlqyeshëm. Mesazhi ynë si staf gjithnjë ishte që neve duhet të përmirësohemi edhe më shumë dhe të jemi edhe më të mirë se sezoni i mëparshëm, kur u shpallëm kampion. Dhe gjërat ashtu shkonin, deri pak javë para fundit, ndërsa dy disfatat e njëpasnjëshme ndaj Sileksit dhe Tikveshit kishin ndikuar negativisht te skuadra, që për fat të mirë rimori veten dhe refelktoi kundër Gostivarit. Atë ndeshje do e mbajë mend gjatë kohë, pasi në të njëjtën debutova me fitore, ndërsa nëse arrijmë të bëjmë një gjë të tillë edhe në dy ndeshjet e fundit të sezonit, do isha pa dyshim njeriu më i lumtur” –shprehet Meriton Gega.

Ndeshja me Shkëndijën që mund të vendos edhe fatin e kampionatit…

“Unë do të thoja se kënaqësia duhet të jetë në përpjekjen për të fituar, brenda atij udhëtimi. Si një skuadër shumë më e re se rivalët tanë, mund të them se jemi shumë me fat që po luftojmë për të fituar trofe të mëdhenj. Rezultati do të vendoset nga detajet e vogla, ndërsa në atë udhëtim do ju kisha thënë lojtarëve që duhet të përqafojnë dhe shijojnë vërtet momentin, pasi ndeshje të këtilla janë për tu luajtur dhe për tu fituar. Unë kam besim të plotë tek këta futbollistë, dhe jam i bindur se do lëjnë zemrën në fushë për të dëshmuar se në futbollin modern, jo gjithnjë fiton paraja, ndërsa më së miri këtë e dëshmoi edhe Dortmundi ditë më parë, kur eliminoi Paris Sen Zhermenin. Le të ndodh kjo edhe në Tetovë, e më pas mendojmë edhe për finalen e fundit kundër FC Shkupit në Strugë. Le të përsëritet historia edhe njëherë tjetër” – përfundoi Gega.