Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka thënë se kandidatja për Presidente të Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, nga radhët e partisë nacionaliste maqedonase, VMRO-DPMNE, ka koncepte antishqiptare, prandaj edhe nuk duhet që të mbështet duhet të mbështetet nga shqiptarët.
Këto komente, Konjufca i ka bërë pak orë pasi që lideri nacionalist i VMRO-së, Hristjan Mickoski, u takua në shtabin qendror të koalicionit “VLEN” – i mbështetur nga kryeministri Albin Kurti, dhe partia e tij – me Arben Taravarin, ku u aludua se kreu i opozitës maqedonase shkoi për të kërkuar mbështetje për raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale apo për të siguruar një marrëveshje paraprake për qeverinë e re të Maqedonisë së Veriut.
“Sa i kam parë unë personalisht konceptet ato konceptet politike që i ka zhvilluar edhe Gordana Siljanovska-Davkova, ato janë koncepte shumë anti-shqiptare, ka një dyshim për popullatën shqiptare atje”, ka thënë Konjufca.
“Unë jam shumë kundër këtyre koncepteve. Unë do të isha kundër çfarëdo le të themi mbështetje të çfarëdo shqiptari për koncepte të tilla, për arsye se unë i kam dëgjuar ato me vëmendje. Është një koncept antishqiptar që e ka shpjeguar vetë kjo kandidate”, shtoi.
Kreu i kuvendit theksoi se ai personalisht s’do ta preferonte kurrfarë opsioni të tillë, sepse, në gjykimin e tij, “është në dëm të shqiptarëve”.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.