Gjithçka kishte nisur me Napredokun në Kërçovën e tij, kur si një 16-vjeçar filloi të tundte rrjetat e kundërshtarëve atë kohë në Ligën e Parë, për të vijuar fuqishëm edhe në moshën 37-vjeçare me fanellën e skuadrës së Struga Trim Lum…
Ndeshja e mesjavës kundër Tikveshit në Kavadar, rezultoi shumë pozitive për sulmuesin Besart Ibraimi në aspekt personal, pasi i njëjti me dy golat e shënuar, arriti të tejkalojë shifrën e 200 golave në historinë e elitës së futbollit vendor.
Një shifër kjo vërtetë mbresëlënëse, që nuk e kishte arritur askush deri më tani, ndërsa shtrohet pyetja, nëse në një të ardhme të afërt do të mund dot ta arrijë ndonjë futbollistë tjetër!?
Gëzon fakti, se këtë jubile të golave, Ibraimi e arriti me fanellën e skuadrës tonë.
14 gola deri më tani për Ibraimin këtë edicion, duke qenë në garë të ngushtë për epitetin e golashënuesit më të mirë, që deri më tani e zotëronte plotë 5 herë, përfshirë këtu edhe vitin e kaluar, kur si pjesë e Struga Trim Lum realizoi 19 gola.
“Për këtë arritje të madhe, patjetër se duhet të falënderojë fillimisht Zotin, familjen time që gjithnjë e kam pasur afër, qoftë në momente të vështira, apo edhe të mira. Poashtu falënderojë edhe klubet ku kam luajtur, përfshirë këtu që të gjithë, edhe atë nga ekonomët, bashkëlojtarët, trajnerët dhe pronarët e klubeve, por edhe tifozët, që më kanë mbështetur vazhdimisht. Vërtetë pa gjithë këto që i përmenda, nuk besoj se do të kisha arritur gjithë këto suksese, ndaj shfrytëzojë rastin për ti falënderuar” – thotë Ibraimi.
Gjithçka kishte nisur me Napredokun në Kërçovën e tij, kur si një 16-vjeçar filloi të tundte rrjetat e kundërshtarëve atë kohë në Ligën e Parë.
Ibraimi flet me mallë për atë kohë, duke potencuar se futbolli ishte shumë më ndryshe se tani, por që falë talentit i’a kishte dalë.
Si një futbollistë shqiptarë që vinte nga Kërçova, Ibraimi dy vite më pas, sezoni 2004/05 vendosi të luaj me Vëllazërimin, ndërsa nuk munguan golat edhe me fanellën e kësaj skuadre, që nuk mbijetoi shumë në Ligën e Parë.
Kjo bëri që Ibraimi ti bashkohet më pas Renovës, nga e cila skuadër janarin e vitit 2010, bëri transferimin e tij më të bujshëm në karrierë, duke iu bashkuar skuadrës së Shalke 04 në Bundesligën gjermane.
Pasoi një periudhë e bukur e tij jashtë kufijve të Maqedonisë, për tu rikthyer sërish në futbollin vendor verën e vitit 2015-të, këtë herë duke veshur fanellën e skuadrës tjetër tetovare, atë të Shkëndijës.
Me fanellën e kësaj skuadre, Ibraimi vazhdoi rrugëtimin e tij të golave, këtë herë edhe më fuqishëm, duke prekur shifrën e 110 golave (vetëm në Ligën e Parë) brenda 6 viteve sa ishte pjesë e tyre, ndërsa të njëjtën gjë po bënë edhe me fanellën e skuadrës tonë, Struga Trim Lum.
Ibraimi në 55 ndeshje kampionale, ka realizuar 33 gola, ndërsa në edicionin e tij të parë debutues në garat europiane, në 8 ndeshje arriti të shënojë 7 gola.
Mirëpo edhe përkundër shifrës prej 200 golave, Ibraimi nuk ka mundur dot ti shënojë Gostivarit në dy ndeshjet që ka luajtur deri më tani.
“Në këto momente shumë më e rëndësishme është të fitojë skuadra, se sa golat e mi personal. Sinqerisht do isha shumë i lumtur nëse do merrnim fitore kundër Gostivarit” – shprehet Ibraimi, duke vijuar: “Unë si gjithnjë jam i urritur për gola, ashtu që do provojë edhe nesër të shënojë, duke shpresuar njëkohësisht që golat e mi ti shërbejnë ekipit deri në arritjen e qëllimit”.
Deri në fund të sezonit kemi tre ndeshje shumë të rëndësishme, që lirisht mund ti quajmë si finale, mirëpo Ibraimi thotë që secilën ta marrim me qetësi, edhe atë një nga një.
“Nuk ka më ndeshje të lehta. Edhe nesër ndaj Gostivarit nuk do ta kemi të lehtë, ndërsa një gjë të tillë dëshmuan edhe ndeshjet e kaluara ku humbëm pikë, që ndoshta i kishim planifikuar që para kohe. Mirëpo në gjithë këtë, pozitive është që edhe përkundër këtyre lëshimeve që kemi bërë jemi sërish në garë të ngushtë për titullin e kampionit. Shpresoj që nesër të japim më të mirën kundër Gostivarit dhe të fitojmë finalen e parë nga gjithsej tre” – përfundoi Ibraimi, i cili edhe pse në moshë 37-vjeçare, pa dyshim se është një ndër sulmuesit më të mirë që luajnë në kampionatin tonë dhe me siguri se deri në fund të këtij edicioni, apo edhe edicionin tjetër, shifrën e 201 golave ka shanse që ta rris edhe më shumë.
Suksese dhe shumë shëndet “maestro’ i golit…