Përplasja në distancë Pendarovski – Davkova, po transferohet gati në të gjithë tubimet e kandidatit presidencial të LSDM-së, Stevo Pendarovski.
Por, fillimisht, Pendarovski komentoi anketat. Tha se i di anketat reale por edhe ato të rrejshme dhe sipas tyre ai do të jetë fitues më 8 maj.
Stevo Pendarovski, për çudi, tha se pajtohet me kundërkandidaten Davkova, se ajo do të bënte më shumë se çka bërë ai.
Por, me ironi, bëri një paralele.
“Unë asnjëherë nuk e kam bllokuar rrugën e Maqedonisë drejt Evropës, ajo do ta bllokojë. Unë asnjëherë nuk i kam cënuar raportet ndëretnike dhe paqën në vend, ajo do ta bëjë këtë. Unë asnjëherë nuk kam premtuar se do t`i amnistoj të dënuarit e 27 prillit, ajo do ta bëjë këtë” – tha Stevo Pendarovski.
Kandidatja presidenciale e VMRO-DPMNE-së, Gordana Siljanovska Davkova, ka prezantuar pjesë të programit zgjedhor në Tetovë, me mesazhin se legjitimiteti buron nga qytetarët dhe u takon atyre.
“Neve na duhet politikan që do të jetë me popullin përmes zyrave popullore. Që do të jetë me popullin përmes mesazheve në parlament, kur të vendos veto, kur jashtë vendit t`i dërgojë diplomatët më të mirë, që do të jetë për Maqedoni të sigurtë dhe do të krijojë politika të mira. Që do të jetë për art, shkencë, kulturë dhe gjyqësor. Kur të jetë për kushtetutshmëri dhe kur gjykatësit më të mirë do të jenë nëpër gjykata” – tha Siljanovska Davkova.
Karvani i kandidatit presidencial të Frontit Evropian, Bujar Osmanit, ka prezantuar platformën zgjedhore në disa zona të rajonit të Tetovës, por edhe të Shkupit.
Osmani duke potencuar se zgjedhjet e 24 prillit dhe 8 majit janë të jashtëzakonshme është zotuar se nuk do të ketë qeveri pa ndryshime kushtetuese. Ai bëri thirrje që të ndërtohet një mur kundër nacionalizmit të VMRO-DPMNE-së.
“Nuk ka thirrje më shoviniste, më përjashtuese, më etnocentriste se sa në shtetet multietnike të kërkni 61 deputet. Për shkak se 61 është thirrje për të na përjashtuar ne nga institucionet, thirrje për të na përjashtuar nga procesi i vendimarrjes. Madje, unë mendoj se është thirrje për urrejtje ndëretnike për të cilët institucionet ligjore duhet të ndërmarrin masa. Po, fatkeqësisht është oferta që po merr çdo ditë e më tepër fuqi te një pjesë e komunitetit maqedonas” – tha Bujar Osmani.
Kandidati presidencial I koalicionit VLEN, Arben Taravari, në vazhdën e fushatës, ka marrë pjesë në nisjen e punimeve për ndërtimin e stadiumit të ri në Tetovë.
Përmes rrjeteve sociale ai ka shpërndarë pjesë të vizionit të tij, nëse merr besimin e popullit si president I vendit.
Maqedonia e Veriut prodhuese e sigurisë – BE, SHBA dhe NATO janë aleatët tanë të pazëvendësueshëm. Si partner i besueshëm, ne bashkëpunojmë ngushtë me ta dhe jemi të gatshëm të luajmë rolin tonë në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në botë përkrah tyre” – tha Taravari.
Rreziqet për sigurinë e vendit s`kanë asnjë lidhje me Rusinë – vlerëson kandidatja presidenciale e “Levicës”, Biljana Vankovska.
Ajo gjatë një interviste për Radion Evropa e Lirë angazhohet për eurointegrime, por BE-në e konsideron si “filialë të NATO-s”. Sipas Vankovskës, ndryshimet kushtetuese, paraqesin një tezë të rreme me pohimet se “vetëm se nuk kemi hyrë në BE”.
“Tashmë një çerek shekull, nuk është çështja nëse ne angazhohemi për BE-në, por nëse BE-ja ka qëllim të zgjerohet. Pse në aktet e saja shkruan për disa vlera evropiane, që vet po i shkel. Ndaj nesh kryen gjenocid kulturor dhe identitar, kurse në Gazë mbështet një faktik” – deklaroi Vankovska.
Kandidati presidencial I koalicionit që udhëhiqet nga partia “Grom”, Stevço Jakimovski, një pjesë të programit ua ka kushtuar pensionistëve. Sipas tij, asnjë familje pensioniste nuk guxon të ketë më pak se 25.000 denarë.
“Situata me pensionistët është katastrofike. Gjysma e tyre janë nën minimumin e domosdoshëm. Nuk duhet ta prekim sistemin pensional, por për pensionistët mund të intervenojmë me masa të politikës sociale, që asnjë pensionist mos të ketë pagë nën 25.000 denarë” – tha Jakimovski, GROM.
Krimi dhe korrupsioni kryesor janë në politikë – vlerëson kandidati presidencial I Lëvizjes “Znam”, Maksim Dimitrievski.
Gjatë një tubimi në Kërçovë, Dimitrievski, tha se angazhohet për shtet të së drejtës.
“Nëse presim që ata që vijnë nga jashtë të na e bëjnë shtetin, ne sot nuk do të kishim shtet. Të ndërtojmë një shtet real multietnik me të drejta të barabarta por edhe me përgjegjësi të barabarta. Jo, Drejtësi për ata që janë në pushtet, drejtësi të përjetshme për BDI-në dhe padresjtësi për qytetarët dhe ata që mendojnë ndryshe” – tha Maksim Dimitrievski.
Fushata zgjedhore e kandidatëve presidencial për raundin e parë të zgjedhjeve të 24 prillit hyn në gjysmën e dytë, ndërsa për pesë ditë, më 18 prill, fillon fushata për zgjedhjet parlamentare.
Në fokus të fushatës janë integrimi europian i vendit, reformat e nevojshme, por edhe situata ekonomike, krimi dhe korrupsioni. /tvklan.mk/