81 raketa e dronë mbi Ukrainë, tërbimi i Putinit s’njeh kufij, Zelensky: Na sillni armët

Ukraina u zgjua mes breshërisë së dronëve dhe raketave, këtë të enjte, teksa Rusia ndërmori një valë masive sulmesh. Në shënjestër u vu infrastruktura energjetike rreth vendit, me nënstacione elektike dhe gjeneratorë që u dëmtuan në 5 rajone.

Të paktën 200 mijë njerëz mbetën në errësirë si pasojë e sulmit, ku sipas ushtrisë u përdorën 82 dronë dhe raketa balistike. Presidenti Volodimir Zelenski e shfrytëzoi agresionin e ri për të ripërtërirë thirrjet për armatime.

“Më shumë se 40 raketa dhe rreth 40 dronë u lëshuan nga rusët. Arritëm të rrëzonim disa prej tyre, por fatkeqësisht vetëm një pjesë. Terroristët kanë vënë sërish në shënjestër strukturat kritike. Të gjithë partnerët tanë duhet të kuptojnë se sa kritike është për Ukrainën, nevoja për një mbrojtje ajrore. Kemi nevojë për sisteme mbrojtëse dhe jo për diskutime të gjatë.”

Forcat e mbrojtjes ajrore bënë me dije se kishin rrëzuar 18 nga raketat dhe 39 dronë. Sipas operatorit të energjisë Ukrenergo dëmet në infrastrukturë ishin shënuar në Odesa, HArkiv, Zaporizhzhia, Lviv dhe Kiev.

Të paktën 10 raketa ranW në qytetin e Harkivit, i cili gjendet 30 km larg kufirit rus. Mes situatës kritike autoritetet atje u detyruan të presin elektricitetin për mbi 200 mijë njerëz.

Breshëria e sulmeve gjatë natës dhe mëngjesit të së enjtes shkaktoi vdekjen e 4 civilëve mes të cilëve edhe një vajza 10-vjeçare në Odesa, ndërsa në Harkiv u vra një 14-vjecare dhe dy gra, 43 dhe 59 vjeç.

Mes shterimit të armatimeve dhe reduktimit te trupave, parlamenti ukrainas aprovoi në lexim të dytë projektligjin për mobilizim ushtarak, i cili synon rekrutimin e 500 mijë ushtarëve gjatë vitit. Ai ka shkaktuar polemika dhe debate të mëdha në vend.