Qindra të rinj “rrezikojnë” të drejtën e votës, kjo është arsyeja

450 të rinj të cilët do të mbushin 18 vjet deri në ditën e zgjedhjeve presidenciale, përkatësisht më 24 prill nuk kanë asnjë dokument identifikimi me qëllim që të mund të shfrytëzojnë të drejtën e votës për herë të parë. Ndërkohë mbi 80 të rinj nga gjithsej 101 në terrorin e Shkupit kanë arritur të aplikojnë për dokumente në thirrjen e fundit të MPB-së për fotografim pa terminë.
“Rreth 450 shtetas të cilët kanë mbushur moshën 18 vjeç nuk kanë asnjë dokument biometrik, as letërnjoftim dhe as pasaportë. Në territorin e qytetit të Shkupit, 101 persona të cilët kanë mbushur moshën 18 vjeçare nuk posedojnë asnjë dokument biometrik, as letërnjoftim dhe as pasaportë. Prej tyre, 81 persona janë fotografuar në stacionin “Prolet” më 6 prill 2024”, njoftojnë nga MPB .

Përderisa këta të rinj presin që të pajisen me dokumente, para sporteleve të MPB-së presin edhe shumë qytetarë. Sipas tyre pritjet për marrjen e dokumenteve me procedurë të rregullt zgjatë më shumë se dy muaj.

“Isha për lejen e vozitjes dhe dy muaj që pres tani e mora. Pasaportë nxorët? Jo nuk më duhet ku do shkoj, letërnjoftim kam dhe ja këtë dy muaj që pres me procedurë të shpejtë”, tha një qytetar.

“Për pasaportë ishit? Po, e mora tani. Pas sa kohe? Pas dy muaj e gjysmë” , u shpreh një tjetër qytetar.

“E mora pas 3 muajsh pasaportën por mirë është”, theksoi një qytetar.

“Isha për të ndryshuar dokumentet. Ka pritje dhe rrëmujë por çfarë të bëjmë ata janë procedurat, ai shtet është. Jo ende nuk kam caktuar termin”, deklaroi një tjetër qytetar.

“Ishim për fotografim, njëherë më procedurë të rregullt për datën 11 nëntor por që duhet të shkojmë tek vajza dhe u deshtë të nxjerrim me procedurë të shpejtë, 6400 denarë për një pasaportë edhe të mos kesh e kisha patjetër. Ky është shteti ynë”, kështu tha një qytetar i anketuar nga Alsat.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme njoftojnë se deri më 4 prill për letërnjoftim me emrin e ri të shtetit kanë aplikuar mbi 1 milion e 200 mijë qytetarë, për pasaportë rreth 1 milion e 490 mijë qytetarë dhe për leje të vozitjes rreth 646 mijë qytetarë. /Alsat.mk