Besimtarët mysliman në Maqedoninë e Veriut shënojnë sot festën e Fitër Barjamit.
Manifestimi qendror u mbajt si tradicionalisht në xhaminë Mustafa Pasha në Shkup, nën organizimin e Bashkësisë Fetare Islame.
Manifestimi filloi në orët e hershme të mëngjesit me program fetaro-kulturor, në kuadër të së cilit, përpos faljes së namazit, u recituan edhe vargje të Kuranit dhe ilahi të ndryshme.
“Dhashtë i madhi Zot që të vazhdojmë rrugën në muajt tjerë sipas porosive të Kuranit Famëlartë dhe ta mbrrijmë Ramazanin e bekuar” – tha Shaqir Fetahu, kreu i BFI-së.
Kreu i BFI-së, Shaqir Fetahu me rastin e kësaj feste, bëri thirrje për solidaritet dhe kultivimin e vlerave fetare si dhe porositi besimtarët të jenë në shërbim të së mirës për të ndërtuar një vend më të mirë për gjeneratat e reja.
“Lus Allahun Fuqiplotë që kjo ditë të jetë ditë e buzëqeshjes, ditë e afrimit në mes njerëzve, ditë e pajtimit, shtrirjes së dorës së afrimit në mes njerëzve dhe në këtë mënyrë të jemi të lumtur dhe të gëzuar të gjithë” – tha Shaqir Fetahu.
Fitër Bajrami është një ndër festat më të mëdha të botës islame, që pason pas muajit të shenjtë të Ramazanit. /tvklan.mk/