Fronti Europian zgjerohet edhe me Unionin Demokratik Boshnjak

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, z. Ali Ahmeti dhe kryetari i Unionit Demokratik Boshnjak, z. Munir Kolašinac, sot u dakorduan që edhe komuniteti boshnjak t’i bashkangjitet Frontit fitues Europian.

Kështu, Kolašinac do të jetë pjesë e listave zgjedhore të Frontit Europian për deputetë në Zonën e I-rë zgjedhore.

Ditë më parë, Fronti Europian i iniciuar nga Bashkimi Demokratik për Integrim dhe Kryetari Ali Ahmeti ka nënshkruar marrëveshje koalicioni me Partinë Demokratike Shqiptare të Menduh Thaçit, Aleancën për Shqiptarët të Ziadin Selës, Lëvizjen Populli të Skender Rexhepit Zejd, Partinë Demokratike Europiane të Arjanit Hoxhës, Partinë Demokratike Turke të Bejxhan Iljas, Unionin e Romëve të Fatima Osmanovskës, Lëvizjen e Turqëve të Maqedonisë për Drejtësi dhe Demokraci të përfaqësuar nga Sulejman Baki.

Fronti Europian njëzëri mbështet kandidaturën e përbashkët për president të kandidatit Bujar Osmani, derisa dje kryetarët e të gjitha partive politike pjesë të Frontit Europian nënshkruan deklaratë të përbashkët dhe u rreshtuan pas 10 zotimeve të tij në rolin e presidentit të shtetit.