Zgjedhjet presidenciale/ Fronti Evropian mbështet Dekalogun e Presidentit dhe zotimet e Osmanit

Liderët partiak që janë pjesë e Frontit Evropian, kanë nënshkruar sot programin dhe kandidaturën e Bujar Osmanit për president të shtetit, si kandidat i këtij blloku politik.

Osmani tha se, programi i tij përmban 10 zotime dhe titullohet dekalog i presidentit evropian.

Si pikë e parë e programit të tij, do të jetë busulla e orientimi gjeostragjik të shtetit, duke përsëritur shqetësimin e tij për rrezikun e ambicieve imperialiste ruse dhe se në rast se, Ukraina e humb luftën, në të ardhmen edhe Ballkanin Perëndimore mund të jetë stacion i Rusisë.

“Baza e dytë ose roli i dytë i presidentit është të jetë ind lidhës i narrativëve etnike dhe politike. Maqedonia e Veriut është një demokraci funksionale multietnike, një shtet i cili stabiliteti i së cilit bazohet në qëndrueshmërinë e raporteve ndëretnike”, tha Osmani.

Zijadin Sela nga Aleanca për Shqiptarët tha se përkrah programin e Osmanit, që vendi të jetë me standarde më të mira jetësore, më konkurrent dhe më i sigurt.

“Më erdh mirë që në pjesën e parë të programit është siguria, në pjesën e parë të programit është vendi të cilin Maqedonia e Veriut do të duhet ta ketë dhe e ka krah aleatëve të cilët përfaqësojnë vlerë, demokraci, liri dhe respektim të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut”, tha Sela.

Ndërkaq, lideri i BDI-së Ali Ahmeti, tha se Osmani ka të gjitha cilësitë e duhura për të udhëhequr vendin drejt anëtarësimit në BE.

“Personaliteti si zotëri Osmani, cilësitë që i ka vetëm që do e përshpejtonte procesin drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian por edhe një menaxhues i përkushtuar për më shumë paqe, stabilitet, siguri”, tha Ahmeti.

Në këto zgjedhje presidenciale shqiptarët dalin me dy kandidatë. Përpos Osmanit, për president garon edhe Arben Taravari, i cili mbështetet nga opozita shqiptare./tvklan.mk/