Drejtëpërsëdrejti e në Panik!

Mënyra e komunikimit në kohën e virusit

Nga Agron Kurtishi

Kriza e koronës është një rezultat i botës së globalizuar dhe të mediatizuar. Informacionin rreth e rrotull virusit, duhet të mësohemi si ta përhapim dhe si ta përpunojmë dhe kjo duhet të bëhet urgjentisht. Shoqëria jonë, ashtu si shumë shoqëri të tjera (përveç shoqërive të zhvilluara) ka rastisur dhe është marrë me vete (me inercionin) në këtë zhvillim (edhe pse nuk ka qenë e gatshme) dhe nuk e dozon dot ndikimin, i cili mund të dalë shpejt nga kontrolli. Përkundrejt shoqërive të zhvilluara, shoqëria jonë është shumë e mbingarkuar në kohën e virusit dhe informacionit që përhapet mbi të. Nëse në shoqëritë e zhvilluara virusi është një shqetësim i vogël, në shoqërinë tonë (mbarëshqiptare) ky shqetësim i vogël mund të kthehet në panik, edhe për faktin që në shoqërinë tonë nuk ka ose ka shumë pak analiza, eskpertë, media të pavarura, shoqata ose organizata dhe mendime alternative. Pyetja që mund ta parashtroj në këtë pjesë do të ishte: a do të ishim në të njëjtën gjendje nëse nuk do i kishim informacionet nga mediat? Nuk do të kishte aq shumë lajme, aq shumë informacione, aq shumë lidhje të drejtëpërdrejta, aq shumë konferenca për shtyp (disa herë në ditë), aq shumë video dhe postime çdo minutëshe, nuk do të kishte mendime të ekspertëve të fushave adekuate, statistika dhe me këtë edhe frika ose panika nuk do të ishte aq e madhe. Por, JO. Ne jetojmë në një formulë dhe jemi futur në një atmosferë të njëkohshmërisë totale dhe me këtë edhe e vuajmë që çdo ditë marrim një mbidozë të ngjarjeve nëpër botë. Të gjithë jemi vetëm një klik larg njëri-tjetrit.

Nga aspekti i komunikimit masiv, sot kemi të bëjmë me një histeri masive moderne. Nëse ç’kyçemi nga interneti, a hiqet me këtë edhe virusi? Frika? Nuk e di. Mirëpo një pyetje e kisha: Si mund të dallohet kujdesi i arsyeshëm nga frika e keqe? Dhe si mund të bëjmë ne, si qenie emocionale që jemi tani, të zhvillojmë mënyra komunikuese për t’u marrë me pasigurinë kërcënuese? Mjekët thonë që në mjekësi 1+1 nuk bëjnë 2. Edhe në aspektin e komunikimit të informacioneve nuk ka një recetë të saktë se si do të jepet dhe si do të merret informacioni sepse sjellja përkatëse e informacionit dhe e komunikimit varet nga pozita e marrësit dhe vetë personi, roli i personit, situata e veçantë si dhe faktorë të tjerë. A jeni gazetar, profesionist i shëndetit publik apo konsumator mediatik ose një punëtor i thjeshtë? Te secili prej nesh komunikimi i informacionit mund të pranohet ndryshe.