Qeveria e Maqedonisë së Veriut në prag të zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare ka ulur koeficientet për pagat e funksionarëve, por, megjithatë pagat nuk do të ulen por përkundrazi do të rriten. Pavarësisht uljes së koeficienteve të përllogaritjes së pagave, zyrtarët nuk do të mbeten me duar bosh. Pagat e tyre nuk do të ulen , por mund të rriten, sepse paga mesatare bruto neto është rritur me 15 për qind. Paga mesatare bruto në vitin 2022 ishte 47.627 denarë, ndërsa në vitin 2023 ka arritur në 54.916 denarë.
Koeficientin më të lartë e ka drejtori i Agjensisë për Siguri Kombëtare,i cili merr një pagë prej 2.294 euro, ndërsa më pas vjen koordinatori për zbatimin e programit të qeverisë, që këtë pozitë e ka ish shefi i kabinetit të ish kryeministrit Dimitar Kovaçevski, Martin Popov, me pagë mbi 2000 euro.
Qeveria ka ulur koeficientin për përllogaritjen e pagave të 157 zyrtarëve, sipas vendimit të publikuar në Gazetën Zyrtare. Bëhet fjalë për zyrtarë që Qeveria emëron. Me këtë vendim ulen koeficientët për sekretarin e përgjithshëm të qeverisë, zëdhënsat e qeverisë, koordinatorët kombëtarë dhe zëvendësat e tyre, drejtorët administrativ, drejtorët e inspektorateve, komisioneve shtetërore, agjencive, fondeve dhe drejtorët e burgjeve.
Sipas vendimit të publikuar në Gazetën Zyrtare, koeficientët për zyrtarët e emëruar nga Qeveria tani variojnë nga 1.91 deri në 3.48.
Koeficienti më i ulët prej 1.91 është për zëvendës drejtorët në disa agjenci të caktuara, ndërsa më i larti prej 3.48 është për drejtorin e Agjenicës së Sigurisë Kombëtare. Pas tij me 3.40 është koordinatori kombëtar për monitorimin dhe zbatimin e programit qeverisës, kryetari dhe anëtarët e këshillit inspektues. Kofeicinet mbi 3 kanë edhe sekretari i përgjithshëm i Qeverisë, drejtori i zonave të zhvillimit teknologjik, zëvendësdrejtori i Agjencisë për Siguri Kombëtare, drejtori i Agjencisë së Investimeve të huaja dhe zëvendësi i tij.
Drejtori i Agjencisë për Investime të Huaja e ka koeficientin e pagës prej 3.13. Drejtori aktual, Zylfi Adili, i cili ka 20 vite përvojë pune, do të marrë edhe 10 për qind rritje nga përvoja e punës. Kjo do të thotë se paga e tij bruto është mbi 189 mijë denarë, respektivisht 123 mijë denarë ose 2000 euro në muaj vendosen në llogarinë e tij bankare. Të njëjtën pagë merr edhe drejtori i zonave të teknologjisë zhvillimore, Jovan Despotovski.
Por, as ligji dhe as vendimi i Qeverisë nuk i përfshinë drejtoritë e institucioneve të AEK, M-NAV, Agjenicën e Rrugëve Shtetërore, EMV, MPESO, dhe një sërë institucione tjera në të cilat drejtorët marrin paga disa mijëra euro.
Ish kryeministri, Kovaçevski disa herë ka thënë se nuk mund të ketë paga më ta lart se presidenti i shtetit, kryeministri dhe kryetari i Kuvendit, duke ju referuar kompanive më të pasura, të cilat kanë burime të tjera të financimit përveç buxhetit, kështu që edhe pse Qeveria i emëron drejtorët, pagat e tyre anë sipas marrëveshjeve të tjera ose janë të përcaktuara nga Bordi i Drejtorëve.