Rreth 1000 kuzhinierë, kamarierë dhe punonjës tjerë turistikë nga Nepali, Filipinet, India dhe vende tjera të largëta do të vijnë në Strugë dhe Ohër për të mbushur mungesën e stafit të punonjësve turistik këtë verë.
Në bregun e Liqenit të Ohrit, pothuajse të gjithë objektet hotelierike dhe restorantet janë në kërkim të punëtorëve.
Mungesa e punëtorëve në vendin tonë filloi disa vite më parë, kur punonjësit lokal filluan të largohen drejt vendeve të Evropës, kryesisht Kroaci dhe Greqi, për paga më të larta.
“Ne tashmë fillojmë të mendojmë, kemi marrëveshje me punonjës turistikë të cilët duhet të vijnë të punojnë nga disa vende pak më të largëta, priten filipinet, punonjës nga Nepali, India dhe vende të ngjajshme. Në këto vende, rroga është shumë e ulët, ndërsa ka fuqi të madhe punëtore, kështu që një pjesë e fuqisë punëtore, shkojnë për të punuar në vendet ku ka nevojë dhe hapësirë për punë.” – thotë Kryetari i HOTAM, Krste Bllazheski.
Nga shoqata e hotelierëve thonë se do të jetë pak sfiduese sezonin e parë që do vijnë këta punonjës për shkak se ka barriera në gjuhë dhe kulturë, megjithatë, duke qenë se mungesa e punëtorëve lokal çdo vit e më shumë thellohet, planifikohet që punonjësit turistikë që do të vijnë nga vendet tjera të qëndrojnë më gjatë, me çrast do të mësojnë gjuhën dhe kulturën e vendit.
“Pak është problem barriera e gjuhës, por kushdo që don të mësojë diçka, për 2-3 vite do të fillojë ta mësojë gjuhën, ndërsa një pjesë tjetër e fuqisë punëtore nuk do të kenë shumë kontakt me mysafitët, kështu që ata mund ta mbulojnë mungesën pa problem. Jemi të vetëdijshëm që mund të jetë problem, se edhe ne kur shkojmë në vende tjera kërkojmë punë, nuk e dimë gjuhën por e mësojmë, kështu që njëjtë ndodh edhe me këta punonjës që do të vijnë këtu.”- shprehet Krste Bllazheski.
Punëtorët të cilët vijnë nga këto vende do të paguhen sipas standartit dhe rrogave në vendin tonë.