“Shohim kaos në gjithë sistemin dhe në institucione, kur bëhet fjalë për pagat e tyre atëherë ata e ngritin zërin, kurse për pagat e punëtorëve ata heshtin.”
Nismën e Këshillit Gjyqësor për kushtetutshmërinë e ndryshimit të koeficientëve për pagat e tyre, e quajnë akt të turpshëm nga Konfederata e Sindikatave të Lira. Ata thonë me ndryshimet ligjore anëtarët e Këshillit Gjyqësor vetëm se iu është minimizuar rritja e pagave, kurse me harmonizimin e ardhshëm të pagës mesatare në vend, ata sërish do të kenë rritje sipas koeficientit të ulur vetëm për gjysmë pike, të cilët ishin 3,7-4,0 tani u bënë 3,2 deri në 3,4. Bllagoj Ralpovski, nga kjo sindikatë tha se ligji hyri në fuqi në Kuvend dhe gjykatësit në vend të ankohen për pagat, të kryejnë punën për të cilën i marrin rrogat.
“Me rritjen e ardhshme sipas pagës mesatare në mars 2025 ata sërish do të kenë rritje. Ky ishte një trik që e bënë në Kuvend, por gjykatësit dhe gjithë funksionarët e tjerë nuk çajnë kokën për ne punëtorët, para së gjithash të punësuarve në gjyqësor nuk iu janë paguar shtesat e pagave, me arsyetimin se nuk ka para të mjaftueshme në buxhetin e gjykatave, kurse ata për vete i kanë rritur pagat. Nuk u respektua Neni 8 i Ligjit për pagën minimale ku duhej të harmonizoheshin pagat sipas marrëveshjeve kolektive për 6 muaj”, tha Bllagoj Ralpovski, Konfederata e Sindikatave të Lira.
Edhe më keq është puna tek Ndërmarrja Publike “Pyjet e Maqedonisë” ku 2,000 punëtorë hynë në grevë ngaqë nuk iu kanë paguar fare akoma rrogat e janarit, kurse afati për pagat e shkurtit është 15 marsi. Ata kishin edhe protestë paralajmëruese por sërish nuk ua dhanë as ato rroga, me të cilat mbajnë familjet.
Nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë thonë se në kohën kur nuk është paguar paga për të punësuarit, drejtoria para pak ditësh ka shpallur tender për blerjen e veturave të reja zyrtare.
“Të punësuarit, për fat të keq, dy muaj nuk kanë marrë paga. Të fundit që e kanë marr në mënyrë lineare e kishin të ulur për 6,800 denarë të gjithë. Situata është e padurueshme në këto kushte të krizës dhe të rritjes së shpenzimeve të jetesës. Njerëzit punojnë çdo ditë dhe nuk marrin rroga! Kolegët tanë nga ‘Pyjet e Maqedonisë’ para tri ditësh sollën vendim se sot hynë në grevë për pagesë të rregullt të rrogave. Pres që udhëheqësia e kësaj ndërmarrje të ndërgjegjësohen dhe tu kryejnë pagesat që sot kolegëve tanë”, u shpreh Sllobodan Trendafillov, Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë.
Pakoja me 6 ligjet e miratuara, të cilët rregullojnë pagat e funksionarëve, për sindikalistet u bë për të zbutur revoltën e qytetarëve, të cilët ishin kundër rritjes për 78% të pagave të funksionarëve. Dhe kjo tani u la në harresë pasi që me ndryshimet ligjore të ulet koeficienti i pagave në mënyrë që mos tu rriten edhe për 15% më shumë pagat e 1060 të përzgjedhurve dhe të emëruarave. Madje 200 drejtor të emëruar drejtpërdrejtë nga Qeveria do të mbeten në vullnetin e ekzekutivit nëse do të merret vendim për uljen e koeficientit të pagave të tyre për mos të pasur rritje shtesë nga rrogat e marsit, pasi që nuk përfshihen në asnjërin nga këto 6 ligje aktuale. /Alsat.mk