Qeveria: Protestat e universiteteve, me prapavijë politike

Qeveria dyshon se protestat e profesorëve, asistentëve dhe të punonjësve të universiteteve në Manastir, Tetovë, Shtip, Ohër dhe “Nënë Tereza” në Shkup kanë prapavijë politike. Sindikatat e 5 universiteteve publike protestuan për shkak të marrëveshjeve kolektive të pafirmosura që do t’u siguronin të ardhura mujore më të larta, por kryeministri teknik Talat Xhaferi theksoi se duhet të pritet përfundimi i zgjedhjeve. Xhaferi thekson se pas caktimit të zgjedhjeve nuk nënshkruhen marrëveshje kolektive, andaj zgjidhja do të duhet të gjendet nga përbërja e re parlamentare. Për momentin vetëm punonjësit e Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup kanë marrëveshje të re kolektive. Ata tani do kenë rroga më të larta se kolegët e tyre nga universitetet e tjera shtetërore për 22%. Sipas Qeverisë, nuk bëhet fjalë për diskriminim, por pesë universitetet nuk kanë formuar me kohë sindikatat dhe për këtë arsye nuk ka mundur të nënshkruhet kontrata kolektive me ta. Reaguan nga Universiteti i Manastirit, nga ku theksojnë se aktivizmi sindikal ka dimension qytetar, jo parazgjedhor. Ata pretendojnë se dokumentacionin e kanë dërguar në kohë. /Alsat.mk