Në Kuçovë të Shqipërisë u përuruar baza ajrore e NATO-s. Në ceremoninë e hapjes, kryeministri shqiptar Edi Rama tha se Kuçova është e gatshme si një bazë e re taktike e NATO-s me një rëndësi që i tejkalon kufijtë e Shqipërisë. Ai tha se rajoni nuk është i pa-rrezikuar nga kërcënimi dhe ambiciet neo-imperialiste të Federatës Ruse.
“Një bazë, që është një tjetër element sigurie për rajonin tonë të Ballkanit Perëndimor, që e dimë është jo pak i rrezikuar nga Federata Ruse. Riaktivizimi i këtij aeroporti është vazhdim i rritjes së flotës sonë ajrore. Dy helikopterët e rinj ‘Black Hawk’ si dhe dronët ‘Bayraktar’ janë pjesë e një rritjeje që do të vazhdojë”, tha Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë.
Rama tha se po punohet me aleancën që sa më shpejt të bëhet gati edhe baza e re detare e NATO-s në Porto Romano. Presidenti shqiptar Bajram Begaj tha se me këtë dëshmohet se NATO është e vendosur të mbrojë lirinë dhe sigurinë e aleatëve, duke garantuar mbrojtje kolektive. Begaj foli edhe për sulmin terrorist në Banjskë duke thënë se tregoi se sa e brishtë është siguria në rajonin tonë.
“Konfrontimet politiko-ushtarake rrezikojnë të përshkallëzohen dhe të përhapen. Kjo u pa më së miri shtatorin e kaluar në sulmin terrorist të Banjskës, në Kosovë. Ai sulm tregoi se sa e brishtë është siguria në rajonin tonë dhe dëshmoi se ka ende aktorë lokalë, të cilët mundohen ta projektojnë të ardhmen nëpërmjet një të kaluare e cila nuk duhet të kthehet më. Në këtë situatë sigurie globale të paqëndrueshme, ne duhet të jemi gjithmonë të gatshëm për të mbrojtur veten, dhe për të kontribuar në Aleancë për garantimin e paqes, sigurisë, dhe stabilitetit”, deklaroi Bajram Begaj, President i Shqipërisë.
Në ceremoninë inauguruese morën pjesë përfaqësues të aleancës, ministrat e Mbrojtjes së Turqisë dhe Italisë, përfaqësues të Ambasadës amerikane në Tiranë dhe ata të institucioneve shqiptare. Përfaqësuesi i NATO-s, gjenerali Juan Pablo Sanchez De Lara, tha se Shqipëria është më e gatshme se kurrë që të marrë përgjegjësi për të mbrojtur sigurinë dhe paqen.
“Këto instalime ndihmojnë të kemi më tepër mundësi e gatishmëri ushtarake. Pikësëpari e mbi të gjitha, duhet të jemi e do të jemi të gatshëm jo vetëm për këtë, por edhe për planet dhe operacionet e NATO-s. Kjo do të kontribuojë në përpjekjen e përgjithshme të parandalimit dhe për të dëshmuar veprimin e pandalshëm të NATO-s për siguri e paqe”, theksoi Huan Pablo Sançez De Lara, Komandant i NATO-s.
Punimet për rikonstruksionin e bazës në Kuçovë nisën në janar të vitit 2022. Nga NATO janë të investuara afërsisht 50 milionë euro dhe më shumë se 5 milionë euro janë investuar nga qeveria shqiptare. Baza ajrore e Kuçovës është ndërtuar në vitet 1950. Pak ditë para inaugurimit, në këtë bazë u dërguan edhe tre dronët Bayraktar, që Shqipëria ka blerë nga Turqia. Në përfundim të ceremonisë, avionët ushtarakë EuroFighter F-2000 nga Italia, avionët amerikanë F-16, dronët “Bayraktar” si dhe helikopterët “Black Hawk” u ngritën për disa minuta në ajër duke dhuruar spektakël në qiellin e Kuçovës. /Alsat.mk