Në Londrën e 50.000 banorëve thuhet se prej 2 shkurtit deri më 2 prill (1349) më shumë se 2.000 veta i varrosen në të njëjtët varreza. Prej korrikut deri në shtator kishte 290 vdekje ditore. Thomas Vincent-in thotë se i vetmi zë që mund të dëgjohej “ishin britmat e vdekjes” dhe “gjëma e dhembjes për të humburit”. Tmerri ishte aq i madh, sa ta shtyjë Gjonin e Fordunit të shkruajë për “një vdekje të atillë, sa trupat e infektuara njerëzore, nganjëherë të fryra e të ënjtura, zvarriteshin në jetën e kësaj bote vetëm për dy ditë”. [Fordun: 1880, f. 225].
Shkruan: Hajrudin S. MUJA, Nju-Jork
“Duket se kjo [murtajë] përhapet përmes ajrit dhe frymëmarrjes, e madje edhe vetëm me të shikuarit e një të infektuari. Në këtë mënyrë, ata vdesin dhe nuk gjendet asnjëri të shkojë për t’i varrosur kufomat e tyre, madje as me para, as për hir të shoqërisë e miqësisë që mund të kenë pasur!”Këto radhë, të shkëputura nga kronika e Agnolo Di Tura Grasso-s [Rerum Italicarum Scriptores”, #15(6): 1931-1937], pasqyrojnë situatën “horror” në Siena (jug të Florencës), ku ishte qendra më e madhe bankare e Evropës [Speculum, #39/1964], kur u pushtua nga “Vdekja e Zezë” [Atra Mors] në prill ose maj të vitit 1348. Ky emërtim nuk u përdor deri në shekullin XVI, kurse dokumentet mesjetare i referohen më shumë si “Plague” (Murtajë) nga fjala latine “Plaga”, që do të thotë “goditje” ose “pikëllim”.
Dhashtë Zoti që pandemia e sotme të kalojë me lehtësi, por meqë nuk e dimë çfarë do të sjellin ditët në vijim, ne mbajmë shpresat duke menduar pozitivisht. Megjithatë, ato që kanë ndodhur më parë i dimë përmes kronikave dhe dokumenteve të mbetura. Ato na pasqyrojnë kohën kur bota është goditur me një pandemi misterioze, që shkaktoi katastrofën më të madhe që ndonjëherë ka përfshirë racën njerëzore [Mankind Quarterly, #15/1975, f. 254] në kushte shumë më primitive të jetës. Thuhet se gjithçka filloj në Azinë Qendrore, ku ishte “djepi” [Morgan: 1986, f. 133], prej nga u përhap pastaj në gjithë kontinentin e Euroazisë dhe mori me vete rreth 25-40% të popullatës së atëhershme të Evropës prej 80 milionëve [History Today, #3/2005], ndërmjet viteve 1347 dhe 1351 [Cantor: 1993]. Në shpjegimin e sotëm demografik, kjo katastrofë do të kishte marrë 1.9 miliardë jetë njerëzore [Kelly: 2005, f. 12]. Shoqëria mesjetare kurrë më nuk u rimëkëmb ose, siç shkruante një kronikë, “Tanimë askush nuk di si ta vendosë jetën mbrapa në rend” [Aberth: 2005, f. 82].
Ndërsa burrat e Evropës ende nuk e kishin marrë veten nga “Uria e Madhe” (1315-1322), të cilën e kishin përjetuar pak më parë, ata tani luftonin njëri-tjetrin [Kelly: 2005, f. XVI], kurse bota lindore i ishte nënshtruar një tmerri që nuk dihej se çfarë ishte dhe as që dinin si ta shpjegonin. Louis Heyligen për “Indinë e Madhe” e përshkruante atë si një ngjarje të kobshme: “Në ditën e parë pati një shi bretkosash, gjarpërinjsh, hardhucash, gaforresh e shumë egërsi të tjera të atij lloji, në të dytën u dëgjua një gjëmë e madhe dhe një dritë zjarri ra mbi tokë, të përziera me gurët e të gjitha madhësive… ditën e tretë, ra një zjarr prej parajse, me një tym që i vinte erë e keqe, që shkatërroi gjithçka kishte mbetur prej njerëzve e egërsive dhe i dogji të gjitha qytetet e asaj pjese” [Kelly: 2005, f. 4].
Në Konstantinopojë – shkruante historiani Niqifor Gregoras më 1359 – ishte aq e shpejtë dhe aq e frikshme, sa “Disa shtëpi mbeten të zbrazëta brenda një dite, disa të tjera brenda dy ditësh”[Journal of History of Medicine and Allied Sciences, #21/1966, f. 395]. Vëzhguesi venedikas thotë se 90% e popullatës së Konstantinopojës u shkatërrua, kurse Prokopi i Çezaresë thotë se “vdisnin rreth 5.000 deri 10.000 veta në një ditë”. Natyrisht që është një shifër e ekzagjeruar, por të lë përshtypjen për imazhin e murtajës.
Në Qipro, ku menduan “se ishte fundi i botës”, në nëntor të vitit 1347 kapiteni i një anieje tregtare nuk gjeti asnjë njeri në port. Në Aleksandri, në javët e para, kishte ndërmjet 100, 200 e deri në 750 vdekje ditore. Në qytetin e madh të Kajros, ku thuhej se kishte 500.000 banorë, pati një ditë që vdiqën 7.000 veta. Gjithçka në kaos, mungesë tabutësh e qefinësh, mungesë varrmihësish e imamësh, xhamitë dhe dyqanet u mbushën me trupa njerëzish të vdekur. Vetëm Kajro humbi 200.000 banorët e saj, kurse Antioku humbi gjysmën e popullatës prej 40.000 që kishte. Në Damaskun e 100.000 banorëve e njëjta gjë. Ibn Kathir-i në “Fillimi dhe fundi i Historisë” (1350-1351) shkruante se: “Gjatë këtij muaji (qershor 1349) mortaliteti në qytetin e Damaskut u rrit deri në njëqind vdekje ditore…”[Aberth: 2005, f. 111].
Po t’i besojmë kronikut Ibnal-Wardi, që jetonte në qytetin Alepo të Sirisë, Lindja ishte infektuar me këtë sëmundje rreth 15 vite para se të kalonte ajo në Perëndim. Këtë e pohon edhe kronika e pushtetarit mongol, i cili shkruante se: “Në vitin 1332, njëzetetetëvjeçari Khan Jijaghatu Toq-Temur dhe bijtë e tij vdiqën nga një sëmundje misterioze”. Me këtë emërtim e përmend një kronikë kineze një vit para se të vdiste Khani (1331), kurse historiani Al-Maqrizi thotë se ju deshën gjashtë muaj të kalonte në Egjipt, ku “treqind fise i kishte shuar plotësisht, dhe 16 princër bashkë me Hanin e Madh dhe gjashtë fëmijët e tij. Si rrjedhojë, Kina u shpopullua, ndërsa India u shndërrua në një vend të vogël” [Kelly: 2005, f. 7]. Chavolson-i ka gjetur një epitaf të datuar nga viti 1339, ku shkruhej: “Ky është varri i Kutluk-ut, vdiq nga murtaja me gruan e tij Magnu Kelka” [Kelly: 2005 f. 7].
Dera përmes së cilës sëmundja hyri në Evropë ishte porti Mesina i Sicilisë [Ziegler: 1069, f. 40], ku kishte ardhur një anije gjenoveze me ekuipazhin e infektuar. Frati françeskan, Michael Pizza, në kronikën e tij shpjegon: “Ngjau në muajin tetor të vitit të Zotërisë sonë 1347, në fillim të atij muaji, dymbëdhjetë anije gjenoveze, duke vrapuar nga zemërimi i Zotit që u erdhi për keqbërjet e tyre, erdhën në portin e qytetit Messina. Ata sollën me vete murtajën… sa secili që fliste me ta, u infektua me sëmundjen vdekjeprurëse, që do t’i shkaktonte vdekje të menjëhershme pa asnjë mundësi shmangieje… secili që foli me to, i preku ose pati çfarëdo marrëdhënie me to, vdiq” [Piazza: 1980, f. 82, 86].
Për një kohë të shkurtër qyteti u shkretua, populli iku në male ose u bë refugjat në vende të tjera, ndërsa kështu infektuan vende të reja: “Mos fol me mua nëse je prej Messine” – thoshin vendasit [Kelly: 2005, f. 88], kurse frati Michelle shkruante se: “Gjendja në qytet u bë e atillë që kur biri binte i sëmurë, babai jo vetëm që e refuzonte, por nuk afrohej as për të dëgjuar testamentin”. Një tjetër kronikë, që fliste për situatën e Transvanisë, shpjegonte se si “Baba e braktisë djalin, gratë braktisin burrat, dhe vëllai vëllain. Në fund, secili ikë dhe braktisë të infektuarin [Aberth: 2005, f. 80-82].
Kështu shkruante edhe Gjovani Bokaço për Firencen. Qyteti u shkatërrua, dyqanet e fabrikat u mbyllën, sistemi tregtar u deformua, të pasurit ikën, mjekët e farmacistët i rritën çmimet e shërbimeve, rrugët u zbrazën e kufomat mbetën rrugëve. Murtaja kishte sjellë terrorin e madh në zemrat e njerëzve: vëllai e refuzonte vëllain, daja e refuzonte nipin, motra e refuzonte vëllain, gruaja e braktiste burrin, madje babai e nëna i refuzonin bijtë e vet, sikur të mos ishin të tyre [Bocaccio: 1972, f. 52-57]. Fqinjët mësonin për vdekjen e tyre nga aroma e rëndë e kufomave. Nganjëherë dy priftërinj niseshin për të varrosur të njëjtën kufomë, duke e mbajtur kryqin para tyre dhe pastaj gjenin se bartësit e arkivolit kishin vendosur në arkivol edhe katër kufoma të tjera. Gjithçka i kishte ndryshuar ndjenjat njerëzore, nuk kishte më as lot, as qirinj për të vdekurit; në fakt, nuk tregohej më shumë respekt se për një dhi të ngordhur – thotë Bokaço [Bocaccio: 1972, f. 57]. Kroniku Marchione di Cappo Stefani thotë se vetëm dy lloje karrocash hynin ose dilnin nga qyteti: “Të pasurit, që me plaçket e tyre largoheshin, ose varrmihësit që vinin me marrë të vdekurit” [Gottfried: 1983, f. 47].
Prej andej pastaj u përhap në gjithë Evropën, përfshirë edhe Ballkanin, ku “një tufë ujqish kishin zbritur prej mali për të sulmuar të gjallët e për t’u ushqyer me të vdekurit”. Në shekullin kur asgjë nuk ishte më i shpejtë se “kali”, vdekja e zezë kishte bërë qarkullimin përgjatë Evropës, për më pak se katër vjet. Venediku, që duhej të ishte qyteti më i madh dhe më i pasur i Evropës [Lane: 1973] dhe mund të kishte deri në 150.000 banorë, e ndryshoi gjendjen demografike për 60% në një periudhë kohore prej 19 muajsh. Milano – qyteti më i rëndësishëm i Lombardisë, me 75 deri 100.000 banorë, pati së paku viktima, vetëm 15%. Autoritetet aty i rrethuan shtëpitë e të infektuarve, shumë familjarë iu bindën qeverisë, duke i vrarë vetë anëtarët e sëmurë të familjes së tyre! Në Barcelonë dhe Valenci – dy qytetet më të mëdha të Spanjës me 50.000 dhe 30.000 banorë, mortaliteti ishte 30% dhe 40% [“Les Hommes at la peste”, I, f. 198-218]. Franca ishte mbretëria më e populluar e krishterë, me një popullsi prej 18-24 milionësh, kurse Parisi – qyteti më i madh i Evropës Veriore, me një popullsi prej 80.000 deri në 200.000 banorësh. Në kronikën e murgjve të Shën Denisit [The Grandes Chroniques de France] thuhet se në qytet vdisnin nga 800 njerëz “nga dita në ditë”. Një tjetër bashkëkohanik i tyre thotë se: “1328 [njerëz] u varrosën në një ditë të vetme. Përgjatë 18 muajve, nga qershori 1348 deri në dhjetor 1349, Parisi vazhdonte të humbte aq banorë, sa mund të kishte një fshat, e në ditët më të këqija, sa mund të kishte një qytezë”. Venete thotë se një e treta e popullatës se Parisit vdiq: “Shumë fshatra të vendit dhe shumë shtëpi të qyteteve mbetën të zbrazëta dhe të shkretuara” [Venette: 1953, f. 49].
Në disa vende të Skandinavisë mortaliteti e kalonte 50%-shin [Rich&Wilson: 1967], ndërsa në Vjenë deri në fundin e atij viti (1349) vdiq çdo i treti. Pasqyrën e këtij tmerri na e jep Abraham Santa Clara: “Fëmijët e vegjël, të cilët kacavareshin në gjinjtë e nënave të tyre të vdekura… dhe një vajzë e vogël që qëndronte pranë kufomës së nënës duke e thirrë ‘nënë, nënë’, me shprese se do të zgjohet, duke i sjellë ujë për t’i freskuar sytë…”. [Kelly: 2005, f. 262].
Në Londrën e 50.000 banorëve thuhet se prej 2 shkurtit deri më 2 prill (1349) më shumë se 2.000 veta i varrosen në të njëjtët varreza. Prej korrikut deri në shtator kishte 290 vdekje ditore. Thomas Vincent-in thotë se i vetmi zë që mund të dëgjohej “ishin britmat e vdekjes” dhe “gjëma e dhembjes për të humburit”. Tmerri ishte aq i madh, sa ta shtyjë Gjonin e Fordunit të shkruajë për “një vdekje të atillë, sa trupat e infektuara njerëzore, nganjëherë të fryra e të ënjtura, zvarriteshin në jetën e kësaj bote vetëm për dy ditë”. [Fordun: 1880, f. 225]. Mund të jenë shifra të ekzagjeruara, por thuhet se në qytetet e Gjermanisë vetëm një e dhjeta e popullatës i shpëtoi kësaj sëmundje vrastare.
Për vendet e Ballkanit kronikat na japin të dhëna sipërfaqësore, që kanë të bëjnë më shumë me Serbinë dhe qytetet dalmate Split, Dubrovnik dhe Zarë. Thuhet se është pikërisht Vdekja e Zezë që i dha mundësinë Dushanit të Nemanjiqëve për ta pushtuar Epirin dhe Thesalinë, të cilat ishin shpopulluar tashmë si rezultat i kësaj sëmundje vdekjeprurëse.
Kronika “A Cutheis” na tregon se në Split sëmundja u paraqit më 25 dhjetor 1347, si rezultat i “krimeve të shumta kundër Zotit“, kur “tufa ujqish të uritur e demonë sulmonin njerëzit e i hanin të vdekurit në varre” [Vedran & Hrvoje: 1977, f. 191]. Pa ndonjë të dhënë të regjistruar mendohet se aty vdiqën tre të katërtat e njerëzve të qytetit [Baras: 2010, f. 58]. Splitin e kanë “vizituar” edhe epidemi të tjera të mëvonshme, secila më shfarosëse se tjetra. Për Istrën (Istria) nuk ka të dhëna shifrash [Kelly 2005, f. 25, 260], por thuhet se vendbanime të shumta të Zarës i kishte zhdukur përgjithmonë.
Pas dy-tre javësh (13 janar 1348) sëmundja arriti në Raguzë (Dubrovnik), ku autoritetet urdhëruan që çdo familje të linte testamentet, në mënyrë që të mos gjendeshin të papërgatitur! Numri i viktimave aty është kontrovers: përderisa jepen shifra aq të larta, sa nuk besohet se mund të kishte aq banorë. Shifra që jep Ristiq-i prej 6.073 viktimash [Monumenta… 1893, XXV, f. 131] ose një kronikë anonime që flet për viktimizimin e 170 zyrtarëve, 300 fisnikëve dhe 1.000 qytetarëve [Monumenta… 1893, XXV, f. 139] mund të jenë të sakta, por jo edhe libri i serisë arkivore “Opera pia”[vëll.III, f. 9], që pretendon për 10.110 viktima!? Dhoma e Madhe e Raguzës kishte miratuar masat e izolimit dhe nuk i lejohej asnjërit që vinte nga vendet e tjera të hynte në qytet ose periferi, pa u karantinuar më parë për “një muaj ditë pastrimi në ishujt Mrkan dhe Cavtat“. Këtë ide e përvetësuan më pastaj edhe Marseille e Venediku [Durant: 1953, f. 533].
Përderisa ky tmerr kishte përfshirë viset e Dalmacisë, Serbisë, Maqedonisë, Greqisë dhe Italisë, natyrisht as Shqipëria nuk mund t’i ketë shpëtuar, edhe pse nuk kemi ndonjë kronikë konkrete për të. Për Maqedoninë thuhet se shkaktoi rënien drastike të popullatës së krishterë [Thomadakis: 1977, f. 223-298]. Një gjetje e rastësishme e një varri masiv nga koha e Stefan Dushanit, në “Shënjon” të Hekalit, mund të jetë edhe një dëshmi e këtij tmerri. Gjatë vitit 1362, 1401 dhe 1481 thuhet se qyteti i Durrësit përjetoi epidemi vdekjeprurëse. Në ndonjë rrëfim historik është përfshirë vetëm kur ka pasur të bëjë me ndonjë viktimë të shquar, siç është rasti i Despotit të Artës Pjetër Losha (1374) ose i Pjetër Bogdanit dhe gjeneralit austro-hungarez, Giovanni Norberto Piccolomini (1689)!
Dera hyrëse në Shqipëri shpesh thuhet të ketë qenë Konstantinopoja, që konsiderohej si një “çerdhe” e murtajës, por kur e vështrojmë impaktin e saj në jugun e Italisë, çështjet qartësohen edhe më shumë ose, së paku, na qartëson edhe për një “derë” tjetër hyrëse. Kështu, bie fjala, në vitin 1450, një grup qytetarësh shqiptarë e sollën atë në qytetin e Drishtit nga Roma, ku kishin vajtur në “jubileun” e shpallur nga papa. Marin Barleti, tek “Rrethimi i Shkodrës”, na flet për shpërnguljet e popullatës së Shkodrës me rrethinë (1479) në Venedik “që t’i shpëtonin epidemisë së kolerës”. “Pastaj Shkodra u mbush me malësorë” – thotë Barleti.
Kemi pastaj burime për murtajën e vitit 1481, që e goditi rëndë Vlorën, sa qyteti u braktis tërësisht nga banorët që kërkuan shpëtim në fshatrat përreth. Ka të dhëna për murtajën vdekjeprurëse në Tivarë e rrethinë. Në qershor 1497, në tetor 1502, në gusht 1571, në shtator 1604, në nëntor 1641, më 1659, në shkurt 1674, në vjeshtë 1690, më 1717, 1722, 1748, 1770, 1798: “Mortja e zezë i ka mbushur varrezat në muajin mars të atij viti” [Bar – Grad Pod Rumijom”, f. 58-59, 71], pastaj më 1812, 1832 dhe më 1855. Vetëm në zonën e Delvinë-Paramithisë dëshmohen epidemi në vitin 1604, 1606, 1611, 1621, 1624, 1627, 1642, 1649, 1659, 1662 dhe 1673.
Një letër e dërguar nga Tivari, më 3 mars 1501, i thotë proveditorit të Shqipërisë se “në Shkodër po vdiset prej murtaje...” [Zamputi: 1979, dok.202, f. 275-276]. Një letër tjetër, e dërguar nga Kotorri më 9 tetor 1595, flet për një banor të Budues (Budvës), që vepronte nën urdhrat e Papës për ta marrë Shkodrën, pasi “të gjithë kanë ikur përjashta nga shkaku i murtajës” [Zamputi: 1990, dok.34,f. 48-55]. Murtajën e vitit 1604 në Gjirokastër e sollën disa banorë që punonin në Shkup dhe ishin kthyer për Pashkë, kurse në vitin pasues e solli një tregtar shqiptar nga Konstantinopoja, prej nga shpërtheu një valë e re epidemike, që e pllakosi Igumenicën, Varfanjin e Delvinën. Kur në vitin 1606 markezi Santa Croce e sulmoi Durrësin, e gjeti të infektuar me murtajë.
Në vitin 1770 Ballkani u përball me murtajën për dy vjet. Shkrimet e Gjon Nikollë Kazazit (1702-1752) tregojnë se më 28 mars 1747 në Gjakovës kishte shpërthyer sëmundja e rrezikshme e murtajës. Në vitin 1762, në disa vende, nga murtaja vdiqën 10-12 mijë njerëz, afërsisht 16-20% e popullsisë. Shifrat ishin të ngjashme edhe për vitin 1781, në një kohë që, siç u shpreh një i mbijetuar, “mund të vdisje nga frika”. Si edhe në vitin 1814 [Mazower: 2011, f. 160]. Dr. Kërrçiku numëron 12 periudha epidemie vetëm në Shkodër mes viteve 1761-1821 [Kërrçiku: 1962, f. 249].
Natyrisht që murtajat e shekullit XVI e deri në shekullin XIX nuk mund të krahasohen me atë të shekullit XIV, por tregon një të keqe të vazhdueshme, e cila gjithnjë po merrte jetë njerëzish edhe brenda hapësirës shqiptare dhe ballkanike. Në këtë mënyrë, herë pas here, ndryshonte tërësisht edhe rrjedha e jetës (l’accidente che piùdistorna il corso de publici affari è questo benedetto sospetto di peste). Jo rastësisht Gjon Buzuku ka një lutje të veçantë në Mesharin e tij: “Gjithë popullinë e kërshtenë ëndë Arbanita taen mortajet largo, ty të lusmë Zot!”.
* Për shkak të natyrës së revistës, lista e burimeve është hequr.