Në tre ditët e para asnjë kandidat për president nuk mblodhi 10 mijë nënshkrime

Edhe tre ditë pas nisjes së grumbullimit të nënshkrimeve për kandidatët për president, partitë dhe koalicionet ende nuk i kanë siguruar 10 000 nënshkrimet e nevojshme të qytetarëve. Kandidatët e BDI-së, Lëvizjes Znam, Levicës dhe partisë GROM, kanë mbledhur më shumë nënshkrime, nga gjithsej 13 kandidatët, që kanë paralajmëruar se do të garojnë në zgjedhjet presidenciale.

Sipas të dhënave të Komisionit Shtetëror Zgjedhor të grumbulluara deri të dielën në orën 20:00, kandidati i parë që mblodhi më shumë nënshkrime është ai i BDI-së, Bujar Osmani, gjithsej 8 560. Atij i duhen edhe 1 500 nënshkrime për ta zyrtarizuar kandidaturën. I radhës është kandidati dhe njëherit kryetari  i partisë ZNAM Maksim Dimitrievski, i cili mblodhi 5 923, pothuajse gjysma e nënshkrimeve të nevojshme. Kandidatja e Levicës, Biljana Bankovska-Cvetkovska, është e treta në listë, e cili deri tani ka grumbulluar 4 478 nënshkrime. Pas saj, është kandidati i GROM Stevço Jakimovski, për të cilin kanë nënshkruar 3 019 persona. 1 645 nënshkrime ka arritur të grumbulloj kandidati i koalicionit VLEN, Arben Taravari. Nga kandidatët e tjerë, që ende nuk kanë grumbulluar 1 000 nënshkrime janë Mersiha Smailoviq e cila ka 523 nënshkrime, Velo Markovski 433. Kurse asnjë nënshkrim nuk ka arritur ta mbledh ende kandidati Tome Nikollovski.

Kandidatja e VMRO-DPMNE-së Gordana Siljanovska, sipas kryetarit të partisë Hristijan Mickoskit, 30 nënshkrimet e deputetëve dhe 10 000 nënshkrimet e qytetarëve, do t’i dorëzojnë në zyrat e KSHZ-së në Manastir më 3 mars. Kandidatin e LSDM-së partia nuk e ka zyrtarizuar edhe pse me shumë gjasa do të jetë Stevo Pendarovski, presidenti aktual.

Prej të premten kur ka nisur zyrtarisht mbledhja e nënshkrimeve për kandidatët, deri të dielën, nënshkrimet e tyre i kanë dhënë mbi 24 830 qytetarë.